Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, reagoi ndaj paralajmërimeve të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjet e fundit me Serbinë.
Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten në Moskë, se Beogradi është i brengosur për deklaratat e fundit të Prishtinës rreth marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
“Dua të theksoj se situata në botë është e vështirë, Edhe situata në Ballkan është e rëndë, po ashtu. Ne kemi nënshkruar marrëveshjet, shumë dokumente me Prishtinën në Bruksel. Por, sot presidentja e Kosovës tha se nuk do të zbatojnë pjesën më të rëndësishme të këtyre dokumenteve. Ky është një lajm shumë i keq për ne”, tha kryeministri serb pas takimit në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ai tha se 40 për qind e marrëveshjeve të arritura në Bruksel kanë të bëjnë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe kjo është pjesa më e rëndësishme e tyre.
Ai ju referua paralajmërimit të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, marrëveshjen për asociacionin e komunave serbe, pas tensioneve politike që nxiti kundërshtimi i partive opozitare në Kosovë ndaj kësaj marrëveshjeje.
Për më shumë se një muaj, partitë opozitare nuk lejuan mbajtjen e seancave të parlamentit në të cilat u hodh gaz lotsjellës dhe të cilat u përshkuan me skena dhune për shkak të mospajtimeve.
Kryeministri serb tha se do të kërkojë ndërhyrjen e Brukselit për këtë çështje.
Ndonëse refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, në përpjekje për të siguruar integrimin në Bashkimin Evropian, Serbia është përfshirë në një proces bisedimesh me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve. Në shkëmbim të marrëveshjeve të arritura në këtë proces, ajo pret që deri në fund të vitit të hapen kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Serbia është vënë në mes të synimeve për integrimet në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore. Për shkak të kësaj qasjeje ajo ka refuzuar të mbështesë sanksionet evropiane ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës. Në këtë frymë është zhvilluar edhe vizita disaditëshe e kryeministrit serb bë Rusi.
Marrëveshjet me Serbinë i siguruan Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, e cila u nënshkrua të martën në Bruksel, ndërsa do të ratifikohet të hënën me 2 nëntor në parlamentin e Kosovës. (voa)