Pesë javët e fundit kanë vazhdur sulmet e avionëve rusë në Siri. Por ende nuk dihet saktë se kundër kujt po qëllojnë.
Raketat ruse kanë qëlluar para dy javësh edhe një spital në Sarmin, në provincën siriane Idlib, ku sipasojë kanë vdekur 12 civilë, ndër ta edhe dy mjekë. Kështu njofton fondacioni amerikan SAMS, i cili e ka ndërtuar këtë klinkë. Mediat kanë botuar edhe një fotografi të spitalit të shkatërruar tërësisht. Rusia e ka përgënjeshtruar lajmin. Ministria e Mbrojtjes ka prezantuar regjistrime ku shihet se spitali në fund të tetorit ka qenë në rregull, 11 ditë pas sulmeve. Rusia pohon se është duke goditur “terroristët” me armë të sakta, ndërsa mediat perëndimore dhe burimet siriane njoftojnë për shtimin e numrit të viktimave civile.
Prej fundit të shtatorit deri në fund të tetorit avionët rusë kanë sulmuar 1400 herë caqet siriane dhe kanë shkatërruar, sipas burimeve në Moskë, 1623 “objekte të terrorit”. Por kjo është e kontestueshme të paktën për dy shkaqe: në njërën anë nuk dihet se kë quajnë rusët “terrorist”. Dhe së dyti, burimet ruse nuk flasin fare për viktima civile. Si është e mundur që gjatë sulmeve ruse nuk ka viktima të paarmatosura, ndërsa në sulmet amerikane në Irak, Afganista dhe Siri ka pasur gjithmonë?
FSA në shënjestër në vend të IS
Rusia pohon se po e mbështet Presidentin Baschar al-Assad në luftën e tij kundër “Shtetit Islamik” (IS) dhe Frontit Nusra. Të dy këto organizata janë shpallur terroriste nga perëndimorët. Por Moska dhe Damasku i quajnë terroristë të gjithë kundërshtarët e regjimit. Një prej këtyre grupeve është edhe Ushtria e Lirë Siriane, e cila mbështetet nga Perëndimi dhe vendet arabe. Duket se pikërisht këto grupe janë në shënjestër të rusëve.
Gazetari i vendosur në qytetin Aleppo, Mohammed Al-Khatieb, e kritikon Rusinë në portalin Al-Monitor se në radhë të parë po sulmon këtë ushtri. Ndërsa “Institute for the Study of War” nga Uashingtoni njofton se forcat ruse po sulmojnë edhe rajone të kontrolluara nga IS dhe Fronti Nusra. Por më shumë janë duke bombarduar rajonet e kontrolluara nga FSA . Ndërkohë që forcat ruse janë duke goditur edhe spitale, xhami dhe vendbanime. Safouh Labanieh, drejtor i shoqatës gjermano-siriane me seli në Darmstadt, ka ngritur kritika shumë të ashpra: “Gjatë sulmeve ruse për fat të keq po goditen vetëm objektiva civile dhe opozita e matur.” Labanieh hotë për DW, se ai është kthyer nga rajonet e luftës para dy ditësh dhe askush nuk i sulmonte pozicionet e IS.
Shumë civilë të vrarë
Organizata Human Rights Watch e kritikon Rusinë për sulme në Ghantou dhe Ter Maaleh, nga mesi i tetorit, kur janë vrarë 59 civilë, ndër ta 33 fëmijë. Dyshohet se vetëm gjatë muajit të parë të sulmeve janë vrarë rreth 600 njerëz, një e treta e tyre civilë.
Andrej Kartapolov nga Shtabi i përgjithshëm rus i ka përgënjeshtruar këto raporte. Ai thotë se forcat ruse nuk kanë kryer kaq shumë sulme, siç thuhet. Në këtë luftë propagande po përdoren edhe video dhe pamje nga sateliti. Por nuk dihet se kur janë regjistruar ato. Në disa fotografi të botuara nga Rusia shihen edhe data të gabuara. Fakt është që spitalet janë dëmtuar por nuk dihet kur.
Kanë mbetur shumë pak gazetarë që shkojnë në zonat e luftës. Një ndër ta është Kurt Pelda, i cili i ka përjetuar edhe vetë sulmet ruse. Pelda raporton për sulme artilerie ndaj pozicioneve të Nusra, ku janë përdorur edhe bombat dispersive. Një bombë ka përfunduar edhe në një fshat të afërt, sepse rusët nuk përdorin armë të sakta, por armë që përfshinë sipërfaqe të mëdha. “Rusët nuk duan të vrasin civilë, por ka shumë dëme kolaterale”, thotë ai. Ka dhe raste kur ushtria siriane sulmon me avionë dhe më pas thotë se kanë qenë avionët rusë.
Pasojat janë të qarta. Trupat e regjimit të Assadit, të inkurajuara nga mbështetja e forcave ruse, kanë nisur ofensiva në shkallë të gjërë. Gjithnjë e më shumë njerëz po ikin nga shtëpitë e tyre në drejtim të Turqisë. OKB njofton se vetëm në tetor janë larguar nga shtëpitë e tyre mbi 124.000 sirianë nga provincat Aleppo, Hama dhe Idlib. Këtë e ka vërejtur edhe Kurt Pelda. “Njerëzit nuk po presin sulmet ruse, por po ikin nga të munden”, thotë gazetari nga Zvicra. Në jug të Aleppos shumë vende janë boshatisur. (dw)