Ushqim që sëmur në mbarë botën

Gjithmonë e më shumë njerëz në botë ushqehen në mënyrë të pashëndetshme – 800 milionë vuajnë nga uria, 2 miliardë ushqehen jo mjaftueshëm, 2 miliardë janë mbi peshë, me pasoja në rritje për sistemet e shëndetësisë.

mbipeshaMalri 5-vjeçar nga Tanzania është tepër i shëndoshë. Për nënën e tij, Fadhila, ky nuk përbën ndonjë shqetësim. „Ne të gjithë jemi pak të mbushur. Është karakteristikë e familjes sonë“, thotë Fadhila, e cila vetë është mbi peshë.

Familja jeton në një zonë fshatare të varfër në distriktin e Kilimanxharos. Malri ha kryesisht yndyrna dhe karbohidrate – zarzavatet dhe frutat janë shpesh tepër të shtrenjta për familjen, tregon nëna e tij. Indeksi i masës trupore (body-mass-index – BMI) i 5-vjeçarit është mbi 30, duke e bërë atë pjesë të grupit gjithnjë e në rritje të njerëzve në mbarë botën, të cilët rrezikohen për shkak të mbipeshës së theksuar apo obezitetit. Mbi peshë janë ata që kanë një BMI mbi 25. Mbipesha që konsiderohet si sëmundje dhe që ndyshe quhet obezitet, fillon me një BMI të shkallës 30.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 2,5 milionë njerëz vdesin çdo vit për shkak të obezitetit. Në krahasim me ata që kanë peshë normale, njerëzit që si rregull ushqehen me shumë kalori dhe pak vlera ushqyese, si dhe të cilët kanë një mbipeshë të theksuar, janë shumë herë më të rrezikuar ndaj sëmundjeve si diabeti dhe shqetësimeve në sistemin e qarkullimit të gjakut apo llojeve të ndryshme të kancerit. Ndërkohë OBSHkonsideron se që sot mbipesha dhe obeziteti shkaktojnë më shumë vdekje se uria.

Barrë e dyfishtë për shkak të urisë dhe mbipeshës

Vendlindja e Malri-t bën pjesë në ato vende të cilat kanë një problem të dyfishtë me të ushqyerit. Për shkak të numrit të madh të njerëzve që ushqehen në mënyrë të pamjaftueshme, Indeksi Global i Urisë e cilëson situatën „serioze“. Njëkohësisht në Tanzani po rritet numri i njerëzve të sëmurë nga mbipesha.

Vendet emergjente si Kina dhe Meksika e kanë ulur me sukses nivelin e urisë në vitet e fundit, por atje është rritur njëkohësisht numri i njerëzve mbi peshë. Kjo nuk është e pazakontë për vendet në të cilat mënyra e të ushqyerit po shkon drejt konsumimit të ushqimeve tejet të përpunuara dhe me shumë kalori, siç ofrohen këto nga korporatat e mëdha ndërkombëtare në mbarë botën, sqaron Roman Herre. Experti agrar punon për organizatën e të drejtave të njeriut FIAN dhe sjell një shembull nga Filipinet: „Makaronat e çastit blihen kryesisht nga të varfrit, sepse ato janë pak më të lira se orizi vendas. Por pyetja që shtrohet është se sa vlera ushqyese ka në makaronat e çastit dhe sa në orizin e kultivuar në vend“.

E drejta e njeriut për t’u ushqyer mirë

Përveç luftimit të urisë, edhe përmirësimi i të ushqyerit dhe bujqësia e qëndrueshme janë pjesë e objektivave të reja për zhvillim të Kombeve të Bashkuara, e objektivave për zhvillim të qendrueshëm (Sustainable Development Goals – SDGs). Prandaj për organizatën FIAN, e cila angazhohet në nivel ndërkombëtar sidomos për të drejtën e njeriut për ushqim, ka ardhur koha që në axhendën ndërkombëtare të përfshihet jo vetëm fenomeni i urisë, por edhe cilësia e ushqimeve:

„Pikërisht nëse çështja e të ushqyerit shihet nga pikëpamja e të drejtave të njeriut dhe kur pyetja që shtrohet, është se çfarë përmban saktësisht e drejta e njeriut për ushqim, atëherë bëhet fjalë edhe për të drejtën e njeriut për ushqim cilësor“, thekson Roman Herre.

harta e uriseGrafiku i Indeksit Global të Urisë 2015

Krahasimi i dy hartave botërore bën të qartë se të ushqyerit në mënyrë të pamjaftueshme eshtë një problem global. Indeksi Global i Urisë aktual tregon përmes toneve të ndryshme të ngjyrave situatën e tashme të urisë në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion. Vendet industriale mbeten të bardha, pasi atje uria nuk përbën problem. Por pikërisht atje, numri i obezëve është veçanërisht i lartë, prandaj dhe në hartën e OBSH-së mbi obezitetin vendet industriale shfaqen me tone të errëta të ngjyrës së kuqe apo portokalli.

harta e adipositasHarta botërore e Adipositas

Sipas OBSH-së, p.sh. një e treta e amerikanëve janë ekstremisht mbi peshë. Në Evropë, në varësi të vendit, një në pesë apo katër njerëz janë mbi peshë.

Edhe në vendet e industrializuara, të kequshqyerit nga pikëpamja e mbipeshës është një problem i varfërisë dhe i arsimimit. Nese p.sh. në Azi janë makaronat e çastit, ato që çojnë në një gjendje të keqe përsa i përket të ushqyerit, qytetarët e varfër në vendet e industrializuara ushqehen kryesisht me produkte të tjera të gatshme, me përmbajtje shumë të lartë yndyrnash, sheqeri dhe kripërash, si p.sh. hamburger, patate të skuqura ose panine me kremviçe, apo produkte të gatshme si supra në qese, bukë për thekje ose pica të ngrira. Rezultati: Shumë njerëz në mbipeshë, që njëkohësisht ushqehen me mangësi, pasi marrin shumë pak vlera ushqyese.

Të ushqyerit është çështje e fëmijëve

Vlerat e pakta ushqyese janë edhe një çështje e së ashtuquajturës „uria e heshtur“, e cila prek rreth 2 miliardë njerëz në mbarë botën, sqaron Andrea Sonntag, koordinatore për politikën e të ushqyerit të organizatës joqeveritare gjermane „Ndihma për Urinë në Botë“. „Unë ndihem e ngopur dhe ndoshta as që e vë re se jam e uritur, pasi kam marrë pak vlera ushqyese të rëndësishme“, kështu i përshkruan Sonntag pasojat e një ushqyerjeje, e cila qëndron kryesisht në marrjen e kalorive. Rrjedhojat janë shkatërrimtare – sidomos për fëmijët, sepse mungesa e lëndëve ushqyese në fëmijëri ka pasoja për tërë jetën. „Trupi sëmuret më shpejt dhe nuk zhvillohet siç do të ishte zhvilluar një trup i shëndetshëm. Kjo nuk mund të rikuperohet më në vitet e mëvonshme, edhe nëse fëmijët, më vonë të rritur tashmë, do të ushqeheshin mirë“, vëren Sonntag.

Problemi botëror i të ushqyerit

Numrat flasin vetë: Në mbarë botën, 2 miliardë njerëz ushqehen me mangësi dhe po aq janë mbi peshë. Pra thuajse një e treta e njerëzve sot ushqehen në mënyrë të gabuar – me pasoja negative jo vetëm për shëndetin vetjak por edhe për sistemet kombëtare të shëndetësisë dhe për ekonominë. Kështu Shoqëria Gjermane e Obezëve vlerëson se obeziteti, deri në 2020-ën, do t’i kushtojë sistemit gjerman të shëndetësisë mbi 25 miliardë euro në vit. Ekspertët flasin për një „epidemi të obezitetit“ në Gjermani, pasi tashmë më shumë se gjysma e gjermanëve janë mbi peshë ose obezë.

Shkaku kryesor: një mënyrë jetese jo e shëndetshme, me pak lëvizje e kalori të tepërta. Kjo mënyrë jetese duhet marrë seriozisht si në vendet e varfra ashtu edhe në ato të pasura. Ndërkohë që masa e njerëzve që kequshqehen dhe janë mbi peshë rritet, shtohen sfidat për sistemet globale të shëndetësisë. (dw)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>