Ka pasur një valë intensive sulmesh ajrore ruse në dy zona të Sirise. Moska këmbëngul se po shënjestron grupe xhihadiste si Shteti Islamik dhe se veprimet i koordinon me qeverinë siriane.
Por NATO druhet se, një pjesë e mirë e sulmeve të saj kanë goditur fraksionet rebele, kundërshtare të Presidentit Bashar al-Assad, disa prej të cilave të mbështetura nga Perëndimi.
Atëherë, kush lufton kundër kujt në Siri? BBC përpiqet ta shpjegojë përmes një videoje të shkurtër 90 sekondëshe, atë çfarë po ndodh sot në vendin e munduar prej konfliktit të përgjakshëm 4-vjeçar.
– Presidenti sirian Bashar al-Assad përballet me një rebelim të armatosur në vendlindjen e tij, kryengritje të cilën është përpjekur ta shtypë me ndihmën e miqve të vetë: Iranit, rusëve dhe Hezbollahut në Liban.
– Në krahun tjetër, Shtetet e Bashkuara, Turqia, shtetet arabe të Gjirit dhe një pjesë e mirë e botës perëndimore këmbëngul që Assadi të largohet. Për këtë arsye kanë armatosur e stërvitur shumë nga rebelët, që synojnë rrëzimin e udhëheqësit sirian nga froni i tij.
– Problemi është se njëri prej grupeve qendrore kryengritëse është i ashtuquajturi Shtet Islamik, të cilin e urrejnë të gjithë, përfshirë këtu dhe rebelët e tjerë. Ndaj, logjika e thjeshtë dikton që e gjithë bota, praktikisht të jetë e rreshtuar në të njëjtën anë: atë kundër ISIS-it.
– Por, ja që nuk ndodh tamam ashtu. Rusët thonë se po bombardojnë ISIS-in, e në fakt kanë goditur pozicionet e kryengritësve të tjerë, atyre që luftojnë Assadin. Disa prej tyre financohen nga vende arabe të Gjirit, si Arabia Saudite dhe Katari, që nga ana e tyre janë rivalë të Iranit.
– Turqit, ndërkohë, duan ta shohin Assadin të largohet nga skena politike e vendit, por nuk e kanë bombarduar; të paktën deri më tani. Në vend të kësaj, avionët e tyre luftarakë kanë sulmuar ISIS-in e u hedhin bomba edhe kurdëve; kurdët vetë, të vetmit që luftojnë Shtetin Islamik në terren, mbështeten nga Amerika, që është aleate e Turqisë.
Pra, në thelb, këta miq të Uashingtonit luftojnë njëri-tjetrin, ndërsa të dy së bashku luftojnë armikun e përbetuar të Shteteve të Bashkuara, ISIS-in, që nga ana e vet lufton Assadin. Shume e thjeshtë, apo jo?
/ Top Channel