Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media lidhur me Raportin e Progresit. Anëtari i Kryesisë, Ylli Hoxha, tha se mjafton t’i krahasojmë parathëniet e raporteve për Kosovën dhe për Serbinë, që t’i vërejmë dallimet e konsiderueshme që i kemi në raport me Serbinë karshi Evropës. “Përderisa për Kosovën lavdërohet nënshkrimi i MSA-së, për Serbinë flitet për raporte të kandidaturës për anëtarësim në BE, që është shkallë shumë më e avancuar. Për Kosovën flitet për demonstrim të angazhimit të saj në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, kurse për Serbinë flitet për angazhimin e saj strategjik për t’u inkuadruar në BE”, tha Hoxha.
Integrimi i politikës kundërthënëse të BE-se ndaj Kosovës, si kut matës kryesor të progresit të Kosovës, rrezikon në afatgjatë përpjekjen e Kosovës për të qenë Republikë sovrane dhe funksionale. “Në vend se progresi jonë të matej me funksionalitetin, me ekonominë e zhvilluar, me luftën kundër korrupsionit, me institucione funksionale dhe efikase, Kosova po matet me atë se sa është e gatshme të bëjë lëshime ndaj Serbisë”, theksoi Hoxha, duke shtuar se kjo rrezikon që Kosova gradualisht të rrëshqet në ndarje të sovranitetit me Serbinë, si raport i presionit që Bashkimit Evropian (BE) do ta bëj ndaj Kosovës, për shkak të politikës së padefinuar ndaj Kosovës. “BE po aplikon një skizofreni politike ndaj Kosovës, ngase ka dy qasje ndaj saj: të shteteve që na njohin; dhe të shteteve që nuk na njohin, që tash reflektohen në fusnotën e Edita Tahirit, fusnotë kjo që ka marrë formën definitive të raporteve tona karshi BE-së dhe po përdoret nga BE për trajtimin e Kosovës, me ç’rast BE edhe zyrtarisht e pranon kontestimin e Kosovës si shtet sovran”, tha ndër të tjera Ylli Hoxha.
Ai potencoi se thuajse të vetmet lëvdata që vijnë nga ky raport për Kosovën, kanë të bëjnë me vendimet që bien ndesh me interesat e Kosovës, që janë Gjykata Speciale dhe “Zajednica”, duke vendosur kështu në rend të dytë kriteret me të cilat vlerësohen shtetet që aspirojnë anëtarësim në BE. “Gjykata Sepciale është themeluar me argumentin kyç që institucionet e Kosovës nuk janë në gjendje të prodhojnë drejtësi për qytetarët e vetë. Të lavdërohet një vend që ka krijuar Gjykatë Speciale, si pasojë e mosfunksionalitetit të tërësishëm të sistemit të drejtësisë, është hipokrizi”, tha Hoxha. Më tej, ai theksoi se përmes këtij raporti po tentohet të trajtohet krimi dhe korrupsioni si fenomen endemik, duke dashur kështu ta relativizojnë dhe ta shpërndajnë tek e gjithë popullata, me ç’rast amnistohet elitat politika që janë përgjegjëset kryesore në krim të organizuar, korrupsion, në influencë ne gjyqësor dhe në institucionet tjera të pavarura, për të lëshuar edhe më tutje pe karshi Serbisë.
“Në raport, UÇK-ja trajtohet negativisht, përderisa në anën tjetër i njëjti raport i trajton strukturat paralele serbe si një organizatë normale pa ua përmendur prapavijën kriminale. As në raportin e Serbisë nuk përmendet e kaluara kriminale e Daçiqit dhe Vuçiqit, që ishin pjesë e Qeverisë së Millosheviqit gjatë përpjekjes për gjenocid në Kosovë”.
Lidhur me kriterin ekonomik brenda raportit, Hoxha tha se ai pasqyron gjendjen reale dhe flet për ngecje të rëndë në ekonominë tonë. “Është viti i parë që në Kosovë ka pasur regres ekonomik. Ky regres është produkt i keqqeverisjes, dhe për këtë jatë përgjegjës qeveritarët”, tha në fund Hoxha.
http://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2015/11/Analiza-e-Raportit-t%C3%AB-Progresit-e-p%C3%ABrgatitur-nga-Komiteti-p%C3%ABr-Politik%C3%AB-t%C3%AB-Jashtme.pdf
16 nëntor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!