Deputetët sot në seancë plenare do të votojnë për vendimin për formimin e Komisionit anketues për përgjim. Mbrëmë vendimi mori dritë të gjelbër në Komisionin kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.
Komisioni anketues do të ketë 16 anëtarë, tetë në propozim të VMRO-DPMNE-së, katër nga LSDM-ja, dy nga BDI-ja, një nga PDSH-ja dhe një deputet të pavarur.
Për kryetar të Komisionit anketues është propozuar Petre Shilegov, ndërsa për zëvendëskryetar Goran Misovski. Anëtarët e komisionit, sipas propozimit, duhet të jenë Talat Xhaferi, Ejup Rustemi, Ernad Fejzulahu, Antonio Milloshoski, Silvana Boneva, Kërsto Mukoski, Pavle Sazdov, Dimitar Stevananxhija, Liljana Zaturoska, Magdalena Manaskova, Vlladanka Aviroviq, Tomisllav Tuntev, Vasko Kovaçevski dhe Roza Topuzova-Karevska.
Komisioni anketues formohet në pajtim me Marrëveshjen nga Përzhino për tejkalimin e krizës politike. (alsat)