Qosja ka reaguar ndaj dërgimit të Albin Kurtit në burgun e sigurisë së lart në Podujevë

Bastija dhe Dyz PodujeveAkademik Rexhep Qosja ka reaguar ndaj dërgimit të Albin Kurtit në burgun e sigurisë së lart në Podujevë, duke thënë se regjimi i ish shërbëtorit të Millosheviqit, Isa Mustafës, dhe bashkëpunëtorit të tij të sotëm, Hashim Thaçit, kundërshtarët e vet politikë, të trajtuar armiq, s’mund t’i çojë aq larg por po i çon afër, në Burgun e Sigurisë së Lartë te Podujeva.


Qosja ka shkruar në një opinion se mund të ndodhë që, në qoftë se këta dy dhunëtarë pushtetorë do të mbahen edhe ndonjë muaj në pushtet, Albin Kurtat e ardhshëm t’i çojnë në burgun e sigurisë së lartë në Bashkësinë e Komunave Serbe, në shtetin serb në Kosovë!

Ja opinioni i plotë i Rexhep Qosjes:

Ish kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u dërgua në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz afër Podujevës dhe u dërgua aty si të ishte kriminel me rrezikshmëri të lartë e jo deputet i Republikës së Kosovës! Në burgun e sigurisë së lartë janë vënë edhe zyrat e Vetëvendosjes: rreth tyre edhe në mëngjesin e sotëm janë forcat policore!

Të rinjtë shqiptarë të konsideruar armiq të pushtimit serb, regjimi i Millosheviqit i çonte në burgun e sigurisë së lartë në Beograd, në Centralni Zatvor, dhe në burgjet e sigurisë së lartë në Sremska Mitrovicë e në Nish. Regjimi i ish shërbëtorit të Millosheviqit, Isa Mustafës, dhe bashkëpunëtorit të tij të sotëm, Hashim Thaçit, kundërshtarët e vet politikë, të trajtuar armiq, s’mund t’i çojë aq larg, por po i çon afër, në Burgun e Sigurisë së Lartë te Podujeva. Mund të ndodhë që, në qoftë se këta dy dhunëtarë pushtetorë do të mbahen edhe ndonjë muaj në pushtet, Albin Kurtat e ardhshëm t’i çojnë në burgun e sigurisë së lartë në Bashkësinë e Komunave Serbe, në shtetin serb në Kosovë!

Ata që e urdhëruan dërgimin e Albin Kurtit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz – në Bastijën e Kosovës: Isa Mustafa e Hashim Thaçi, nuk e kanë mësuar historinë: ata s’dinë se Bastija e Francës është rrënuar prej atyre që rrëzuan tiraninë mbretërore dhe krijuan Republikën e Francës.

Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz – Bastija e Kosovës është krijuar për më të rrezikshmit e sotëm të Kosovës: për të korruptuarit pushtetlartë, për pronarët e rançeve e pasurive të tjera të ndryshme të krijuara duke zhvatur Kosovën!

Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz – Bastija e Kosovës është krijuar edhe për kriminelët e krimit të organizar e jo për mbrojtësit e Republikës, jo për mbrojtësit e tërësisë politike, kombëtare e territoriale të Kosovës.

Ata që e urdhëruan dërgimin e Albin Kurtit në Burgun e Sigurisë së Lartë – në Bastijën e Kosovës, harruan se para rrënimit të Bastijës pashmangshmërisht, me logjikë historike, rrënohet regjimi që në Bastijë i çon atdhetarët e Kosovës.
Ashtu u bëftë!
Ashtu e do e mira e Kosovës!
Ashtu e do e ardhmja demokratike e Kosovës!

Rexhep QOSJA, 29 nëntor 2015

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>