“Nuk ka zgjidhje të ndërmjetme, përveç anulimit të marrëveshjeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi, për ta kthyer normalitetin në institucione”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Radio Evropa e Lirë Opozita nuk po heq dore nga hedhja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Çfarë synoni të arrini me këso veprimesh?
Visar Ymeri: Kjo është pjesë e protestës sonë e cila është e drejtuar kundër marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë në Bruksel, me 25 gusht dhe po ashtu, kundër asaj të nënshkruar me Malin e Zi për caktimin vijës kufitare, për demarkacionin. Ne konsiderojmë se këto dy marrëveshje janë jashtëzakonisht të dëmshme Republikën e Kosovës, për sovranitetin e saj dhe për territorin e saj.
Pra, edhe cungojnë si territor, edhe e shkurtojnë dhe e pamundësojnë si republikë. Si të tilla, ato marrëveshje janë të papranueshme. Ky nuk është vetëm qëndrim i opozitës së bashkuar, edhe pse opozita e bashkuar ka qenë bartëse e këtij kundërshtimi.
Por, është qartazi edhe qëndrim i qytetarëve të Republikës së Kosovës, i cili është shprehur dhe materializuar në forma të ndryshme: përmes peticionit të nënshkruar më herët nga 205 mijë qytetarë , të cilët i kanë kundërshtuar këto marrëveshje; përmes manifestimit që e patëm me 28 nëntor, këtu në sheshin e Prishtinës, “Zahir Pajaziti”, ku u pa një masë e madhe e njerëzve – mbi 35 mijë njerëz ishin aty të pranishëm- dhe po ashtu edhe përmes sondazheve të ndryshme , të cilat për do ditë e më shumë, po tregojnë se qytetarët e Republikës së Kosovës janë kategorikisht kundër këtyre marrëveshjeve.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, gazi lotsjellës po konsiderohet si armë. A është kjo shkelje e ligjit?
Visar Ymeri: Këto bombolat ose kapsollat e gazit lotsjellës që i kemi përdorur ne, nuk janë armë. Kjo, mendoj se është një shkarje që po e bën qëllimisht pushteti, përmes institucioneve që i ka kapur, pra, përmes prokurorisë dhe policisë. Në konsiderojmë se kjo ka qenë një metodë e protestës, e cila ka qenë e domosdoshme duke e pasur parasysh qëndrimin arrogant dhe shpërfillës të këtij pushteti karshi interesit të Republikës dhe qytetarëve. Pra, ne kemi thënë që nuk mund të ketë normalitet institucional, as në Kuvend apo në të tjera, për sa kohë që këto marrëveshje e e abnormalizojnë ose rrezikojnë ta abnormalizojnë Republikën.
Dhe, si deputetë të Republikës së Kosovës, ne e kemi për obligim dhe detyrë dhe detyrë që ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, gjë që po e bëjmë tash me këto metoda. Jam i vetëdijshëm që metodat nuk janë konvencionale, veçanërisht gazi lotsjellës apo ndezja e bombolave të gazit lotsjellës në Kuvend, mirëpo, duhet ta kemi parasysh që qeveria ka sjellë një gjendje të një jashtëzakonshmërie të madhe në Republikën e Kosovës me vendimet dhe marrëveshjet e saj dhe si e tillë, natyrisht që ne i jemi përgjigjur kësaj gjendjeje me metodat, të cilat i kemi pasur në dispozicion.
Pushteti është ai, i cili përmes policisë – ku e ka instrumentalizuar këtë polici, përmes kapjes që i ka bërë përmes komandantëve të saj- dhe po ashtu përmes instrumentalizimit të gjyqësisë, përmes disa prokurorëve dhe gjykatësve, është ai që vazhdimisht dhe pafundësisht po e përndjekë opozitën. Po i përndjek deputetët e opozitës, po i përndjekë subjektet opozitare, duke filluar nga arrestimi i deputetëve, suspendimi i djeshëm i të gjithë deputetëve të opozitës nga seancat e Kuvendit, e deri te intervenimi, jashtëzakonisht brutal i së shtunës, në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje, me ç’rast, pa kurrfarë urdhri, jo vetëm se u arrestuan mbi 100 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë edhe Albin Kurtin, por edhe u demoluan dhe u bastisën zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Është e paprecedent në botën demokratike, që pushteti përmes policisë bën kësi lloj demolomi të zyrave të një subjekti opozitar, në këtë rast të subjektit më të madh opozitar që është lëvizja Vetëvendosje.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ymeri, ju tashmë e përmendët. Si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, është suspendimi ditor i pjesëmarrjes së opozitës në seanca. Çfarë do të veproni më tutje?
Visar Ymeri: Natyrisht që ne nuk e pranojmë këtë suspendim. Ne konsiderojmë që moslejimi i pjesëmarrjes tonë në seancat e Kuvendit është shkelje flagrante edhe e parimeve bazë të demokracisë, por edhe e frymës së Kushtetutës dhe rregulloreve të punës së Kuvendit. Sepse, në një vend, i cili ka sistem shumëpartiak dhe i cili pretendon të jetë vend demokratik, nuk mund të bëhet i tillë nëse pushteti në mënyrë arbitrare merr vendim që ta përjashtoj opozitën nga punët e institucioneve.
Tek e fundit, ne jemi deputetë aty për shkak se na kanë votuar qytetarët dhe natyrisht që unë nuk i përfilli urdhrat e Kadri Veselit (kryetar i Kuvendit të Kosovës) dhe të tjerëve për rreth tij.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ymeri, ju keni paralajmëruar protestë tjetër. A keni frikë se mund të përshkallëzojë situata edhe më shumë?
Visar Ymeri: Protestat tona janë protesta, të cilat kanë kërkesa të qarta. Kërkesat e këtyre protestave që po i bëjmë bashkë me subjektet opozitare -me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe me Nismën për Kosovën – i kanë dy kërkesa jashtëzakonisht të qarta, të cilat mendoj dhe ne në fund të fundit edhe jemi të bindur- dhe çdo herë e më shumë po ka edhe qytetarë që po binden për këtë – që janë kërkesa që janë në mbrojtje të Republikës.
Pra, krejt ky angazhim i yni politik e ka një qëllim të vetëm politik, që ta shpëtojmë Republikën nga kthetrat, në njërën anë, të Serbisë përmes “Zajednicës” (Asociacioni i komunave me shumicë serbe) dhe në anën tjetër, të Malit të Zi, përmes faljes ose shitjes së territoreve që është bërë atje. Por, veçanërisht ta shpëtojmë këtë Republikë nga keqpërdorimi që po ia bën qeveria.
Pra, që prej momentit kur kjo qeveri e ka vendosur tërë arsenalin e vet – në fakt, tërë arsenalin institucional të Kosovës – në përdorim të vetin, kemi një qeveri, e cila më nuk mund të konsiderohet as e Republikës, as e atdheut e as e qytetarëve, sepse është shndërruar në një qeveri policësh. Kjo qeveri policore, dje e pamë që edhe Kuvendin e shndërroi në Kuvend policësh. Jo vetëm në seancat e kaluara, por veçanërisht dje (të shtunën) , numri i policëve që kanë qenë në ndërtesën dhe në sallën e seancave plenare, ka qenë pakrahasueshëm më i madh se sa deputetët bashkë me stafin e Kuvendit.
Në këtë drejtim, konsiderojmë që kjo nuk është rruga përpara për Republikën dhe kjo, natyrisht që është shkelje flagrante e sovranitetit që buron nga qytetari dhe në anën tjetër, i parimit bazë të demokracisë. Protestat tona i kanë kërkesat e qarta, mirëpo përshkallëzimi i situatës mund të vije vetëm nëse qeveria insiston në një gjë të tillë.
Qeveria deri më tash, e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, në bashkëpunim me Kadri Veselin, ish shefin e SHIK-ut (Shërbimi Informativ i Kosovës), deri më tash kanë treguar që në fakt, këta janë të gatshëm që ta keqpërdorin pafundësisht këtë republikë, për interesa të veta personale. Mirëpo, duhet ta kenë parasysh që sa më shumë që qeveria bëhet polici, aq më tepër populli do të bëhet vullnet për liri.
Radio Evropa e Lirë: Nga njohës të zhvillimeve politike në Kosovë, ka pasur mendime se po përplasen dy të drejta: e drejta e opozitës që të reagojë ose kundërshtojë dhe e drejta e pushtetit që t’i mbrojë institucionet. A është mënyrë e arsyeshme që institucionet të sulmohen me gurë dhe a i keni paraprirë kësaj?
Visar Ymeri: Në fakt, duhet ta keni parasysh që institucioni nuk është godina. Duhet ta bëjmë një ndarje në mes të institucionit dhe godinës ku gjendet ai institucion. Institucioni është një rregullim i caktuar shoqëror, i cili i ka rregullat e veta dhe i cili i ka pastaj edhe asetet e veta, përfshirë ato fizike, në të cilat ndodhen institucionet.
Në këtë drejtim, mendoj se lufta më e madhe dhe sulmi më i madh që u bëhet sot institucioneve të Republikës së Kosovës bëhet nga vet kjo treshe qeverisëse, për shkak të kapjes dhe keqpërdorimit që e bëjnë ata. Natyrisht që pastaj në protesta nganjëherë ka edhe reagim të qytetarëve karshi sjelljeve të policisë. Në këtë drejtim, mendoj që kjo është pjesë e protestës, e cila natyrisht që nuk vlerësohet, mirëpo as nuk mund të demonizohet ashtu siç po e bën pushteti.
Edhe një herë po e them që dëmin që ia sjellin marrëveshjet Republikës së Kosovës, janë pakrahasueshëm më të mëdha se sa çfarëdo xham i thyer apo se sa çfarëdo makinë e demoluar në Republikën e Kosovës, po flas për pronën e qeverisë apo pronën publike. Kështu që, në këtë drejtim konsideroj që është e domosdoshme që Qeveria e Republikës së Kosovës të heqë dorë nga kjo kokëfortësi, të heq dorë nga shndërrim i vetes në vegël të “Zajednicës” dhe të reflektojë për të mirën e Republikës dhe ti anulojë këto marrëveshje.
Ç’farëdo vonese e qeverisë në këtë drejtim, vetëm sa do ta përkeqësojë situatën në Republikës së Kosovës dhe në anën tjetër vetëm sa do ta përkeqësojë Republikën e Kosovës si të tillë.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, a mund të konsiderohet si kokëfortësi ose këmbëngulje nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, duke pasur parasysh që kryeministri Isa Mustafa ka shprehur gatishmëri për rishqyrtim të çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, ndërkohë që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tashmë është në Gjykatën Kushtetuese.
A e shihni këtë si mundësi për tu ulur dhe diskutuar me partitë në pushtet?
Visar Ymeri: Partitë në pushtet – veçanërisht Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi – ia kanë demoluar zyrat Lëvizjes Vetëvendosje, të shtunën. Pra, këta janë ata, të cilët kanë dërguar policë të armatosur, njësitin luftarak të policisë, i cili përdoret në raste shumë të rralla. Edhe përshkrimin e punës e ka jashtëzakonisht të saktë, është njësit elitar i policisë, i cili përdoret në raste të luftës kundër terrorizmit apo eliminimit të elementeve terroriste brenda një situate. Dhe këtë e kanë sjellë në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje, forcës më të madhe opozitare në Kosovë.
A po e shihni se ky pushtet nuk është i interesuar për dialog? Ky është pushtet, i cili po do që me dhunë ta zbatojë “Zajednicën”. Në anën tjetër, nuk mund të ketë kurrfarë dialogu, për sa kohë që pushteti vendoset njëqind për qind në funksion të interesave të Serbisë. Pra, këtu nuk e kemi situatën, siç është thënë shpesh, një situatë ku do të luftonte pushteti me opozitën. Këtu e kemi një situatë shumë tjetër.
Opozita e bashkuar është në kundërshtim të lejimit të ndërhyrjeve politike dhe institucionale të Serbisë në Republikën e Kosovës. Ndërkohë që pushteti – Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi – janë vendosur në funksion të kësaj ndërhyrje të Serbisë. Kjo i bie që ata e kanë tradhtuar, në njëfarë mënyre, interesin e Republikës së Kosovës dhe janë vendosur në shërbim të Vuçiqit dhe Daçiqit (kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë).
Si i tillë, dialogu me ta – për sa kohë që ata janë në këto qëndrime- do të nënkuptonte dialog me Vuiqin dhe Daçiqin. Ne nuk jemi të interesuar dhe as nuk do ta bëjmë kurrë, të flasim me Vuçiqin dhe Daçiqin për atë se si do të duhej të zhvillohej Kosova.
Radio Evropa e Lirë: A nënkupton kjo që janë mbyllur të gjitha rrugët, të gjitha dyert, për dialog? Ku e shihni zgjidhjen dhe a mund të ketë ndonjë zgjidhje të ndërmjetme ?
Visar Ymeri: Nuk ka zgjidhje të ndërmjetme. Çfarëdo kompromisi në këtë drejtim, për kërkesat tona, përveç anulimit të marrëveshjeve, do të nënkuptonte lehtësim në zbatimin e tyre. kërkesa jonë është shumë e qartë, e realizueshme, e drejtë dhe legjitime, që këto marrëveshje të anulohen. Anulimi i këtyre marrëveshjeve do ta hapte pastaj edhe rrugën e normalitetit institucional, por n anën tjetër edhe rrugën e debatit dhe diskutimit për çështjet, për të cilat po flasim.
Për sa kohë që këto marrëveshje qëndrojnë të nënshkruara, nëpër tavolinat e këtyre dy personave, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës dhe për sa kohë që ata i mbrojnë këto marrëveshje, përkundër faktit që i tërë opinioni publik tashmë e ka dëshmuar që janë në kundërshtim me këto marrëveshje, mendoj se këtu nuk ka mes. Çfarëdo mesi do të ishte tradhti ndaj interesit të qytetarëve dhe interesit të Republikës.
Prandaj, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, janë personat kryesorë që sot do të duhej ta merrnin vendimin për ta shpëtuar Republikën e Kosovës. Po se bën këtë, atëherë, natyrisht, që këta nuk mund të qëndrojnë në ato pozicione ku janë.