Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE, varet nga vetë ju. Pa zgjidhjen e problemeve të brendshme politike dhe etnike, harrojeni integrimin në strukturat euro-atlantike. Kështu u shpreh kryetari i parlamentit të Republikës së Çekisë Jan Hamaçek sot në Shkup para deputetëve të kuvendit republikan.
“Nuk kam ardhur për tiu këshilluar. Maqedonia është vendi juaj, dhe ju mbani përgjegjësi për të. E dini po aq mirë sa edhe unë, që përplasjet e brendshme politike dhe sidomos ajo që duket si mosmarrëveshje ndëretnike, vetëm se e zgjasin rrugën tuaj për në Evropë. Ju e dini se anëtarësimin në BE varet nga ju, edhe pse ka disa faktorë ndaj të cilëve nuk mund të ndikoni”, tha Jan Hanaçek, kryetar i Parlamentit të Çekisë.
Hamaçek gjatë takimit me kreun e kuvendit Trajko Veljanoski ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të posaçëm krizën e refugjatëve, duke theksuar se Çekia në mënyrë simbolike do ta ndihmojë Maqedoninë të përballet me këtë dukuri. Derisa Veljanoski u shpreh se Maqedonia duhet të mbrohet nga pasojat e kësaj vale refugjatësh, duke theksuar kështu mbrojtjen nga terrorizmi.
“E dimë që Maqedonia është përfshi nga një valë e refugjatëve që shkojnë drejtë Evropës. Më gëzon fakti që BE-ja dëshiron që kjo të zgjidhet në nivel evropian, sepse kjo krizë nuk mund të zgjidhet në nivel të shteteve por në mënyrë të përbashkët”, deklaroi Jan Hamaçek, kryetar i Parlamentit të Çekisë.
“Republika e Maqedonisë po investon mjete materiale si dhe resurse njerëzore për të siguruar tretman humanitar të refugjatëve, gjithnjë duke respektuar standardet dhe parimet ndërkombëtare. Këtu duhet të theksoj se edhe ne e kemi për obligim që të mbrohemi nga ato pasoja negative të cilat vijnë nga ky lum i refugjatëve, e ajo në radhë të parë është terrorizmi”, theksoi Trajko Veljanoski, kryetar i Kuvendit të RM-së.
Hamaçek ka realizuar takim edhe me kreun e opozitës Zoran Zaev, ku gjithashtu është diskutuar rreth zhvillimeve politike në vend.
Bedri Rexhallari