Gazsjellësi TAP, Peleshi dhe Gjiknuri inspektojnë punimet në Korçë

ministrat-TAPZëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, inspektuan sot fazën e parë të punimeve për ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve në funksion të punimeve për gazsjellësin TAP.

Të shoqëruar nga drejtuesit lokalë të konsorciumit TAP, ministrat ndoqën nga afër punimet që po kryhen në segmentin rrugor Vithkuq-Shtyllas.

Menaxheri lokal i TAP-it në Shqipëri, Shkëlqim Bozgo, informoi përfaqësuesit e qeverisë për ecurinë e punimeve të fazës së parë. “Ecuria e punimeve është në përputhje me planifikimet që kemi bërë dhe nga fundi i janarit presim të vijnë tubacionet e para. Nga marsi do të fillojmë transportimin e tubacioneve për t’i shpërndarë përgjatë korridorit. Synimi është që nga mesi i vitit të ardhshëm të fillojmë punimet reale për hapjen e trasesë së tubacionit dhe ndërtimin e tij”, shpjegoi Bozgo.

Ministri Gjiknuri tha se aktualisht është faza e punimeve të rëndësishme civile që ka të bëjë me ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve të aksesit. “2016-a do të jetë viti kryesor ku do të shpërndahet pjesa më e madhe e parave dhe do të ketë një ndikim të menjëhershëm në ekonominë shqiptare. Sot që flasim kemi 1050 persona të punësuar dhe kjo është goxha me ndikim për komunitetet. Patjetër, qeveria shqiptare po bashkëpunon me kompaninë TAP edhe për të adresuar problemet e komunitetit. Këto ndërhyrje në infrastrukturë sjellin padyshim avantazhe, por shoqërohen edhe me probleme dhe ne sot me zëvendëskryeministrin erdhëm vetë për t’i parë, ashtu sikurse për të menduar se si mund të përmirësojmë efektet te komuniteti në terma afatgjatë”, theksoi Gjiknuri.

Ndërkaq, numri dy i qeverisë, Niko Peleshi, vlerësoi rëndësinë e projektit dhe nevojën për një bashkëpunim sa më të mirë me bashkësitë lokale. “Është një projekt ndërkombëtar, por i rëndësishëm për ekonominë tonë kombëtare qysh në fazën e ndërtimit, për shkak të numrit të madh të të punësuarve dhe të rrugëve të aksesit të cilat u japin lidhje dhe frymëmarrje edhe komuniteteve tona aty ku projekti kalon. Në vazhdimësi, natyrisht deri te siguria kombëtare ky është një projekt shumë i rëndësishëm”, u shpreh Peleshi.

Sipas zëvendëskryeministrit, në radhë të parë ka nevojë edhe për një përgjegjësi sociale të konsorciumit në raport me komunitetet, sepse bëhet fjalë për një projekt jo të thjeshtë. “Të përgatisim edhe veten tonë, edhe komunitetin se është një projekt i vështirë derisa të realizohet. Do të krijojë problemet e veta në funksionimin e jetës së përditshme në komunitet, por natyrisht që edhe përfitimi është disafish më i madh. Ne kemi marrë sot edhe angazhimin serioz të kompanisë, të konsorciumit për të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë sociale në mënyrë që komuniteti në vazhdimësi ta shohë këtë projekt si përfitim dhe jo si një kosto”, nënvizoi Niko Peleshi.

Të dhëna të përgjithshme për projektin në Shqipëri


Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt për ndërtimin e një tubacioni që do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Evropës. Pas lidhjes me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, TAP-i do të përshkojë Greqinë e veriut, Shqipërinë, detin Adriatik e më pas do të dalë sërish në tokë në Italinë jugore për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror.

Gjurma e TAP-it përmes Shqipërisë është rreth 215 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 në ujërat territoriale shqiptare të Adriatikut. Seksioni fillon në Bilisht në Qarkun e Korçës, në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në detin Adriatik, 17 kilometra në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare.

Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, si dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliardë metra kub. Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi.

Gjatë kësaj vere, TAP-i nisi ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve dhe urave ndihmëse përgjatë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri. Në zonat malore do të ndërtohen afërsisht 51 kilometra rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 kilometra ekzistuese do të përmirësohen. Do të rehabilitohen 42 ura dhe do të ndërtohen tri të reja. Punimet pritet të përfundojnë në 2016-n, ndërkohë që ndërtimi i vetë gazsjellësit do të nisë në verën e këtij viti. Puna për ndërtimin e çdo segmenti llogaritet të zgjasë nga tre në gjashtë muaj. Sikundër në pikat e tjera të gjurmës së TAP-it, tubacioni do të jetë i futur nëntokë. (tch)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>