Të hënën në mbrëmje, në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian është diskutuar për Kosovën në leximin e parë raporti i paraqitur nga zëvendëskryetarja e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek, në cilësinë e raportueses për Kosovën.
Lunaçek ka përmbledhur pikat kryesore të këtij raporti dhe ka veçuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duke paralajmëruar se Parlamenti Evropian do të japë pëlqimin e vetë për këtë marrëveshje të parë kontraktuale me Kosovën, në fillim të vitit që vjen.
Ajo po ashtu ka përsëritur se gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, hedhja e vezëve apo ngjyrës, nuk janë metoda të pranueshme dhe ka bërë ftesë për dialog.
Në propozim-dokumentin e përgatitur, është përshëndetur edhe iniciativa e deputetëve të Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ilir Deda nga Lëvizja Vetëvendosje, për mënyrën se si të dilet nga kjo situatë.
Në draftin e propozim-rezolutës vihet në pah vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të ndalur përkohësisht implementimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe janë ftuar forcat politike që të shfrytëzojnë këtë periudhë për të rifilluar punën parlamentare dhe të angazhohen në dialog konstruktiv në interes të shtetit dhe të qytetarëve.
Po ashtu, vihet në pah edhe mendimi që të kërkohet edhe roli i Komisionit të Venecias.
Draft-raporti shpreh keqardhje për refuzimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe për rolin pengues nga ana e Serbisë, e cila është në kundërshtim me përkushtimin për zhvillimin e raporteve të mira ndërfqinjësore.
Gjithashtu, shprehet keqardhja se lidhur me këtë anëtarësim të Kosovës në UNESCO nuk ka pasur unitet as mes shteteve të BE-së.
Edhe kësaj radhe përseritet ftesa për 5 vendet anëtare të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë.
Raporti shpreh keqardhje për mënyrën e organizimit të vizitës së mëparshme të shefit të ushtrisë së Serbisë në Kosovë, pasi nuk është konsultuar Qeveria e Kosovës.
Bëhet ftesë që në të ardhmen të evitohen gjestet, të cilat do të mund të fyenin ndjenjat e viktimave dhe të dëmtonin dialogun.
Në këtë raport edhe njëherë shprehet keqardhje për mungesën e rezultateve më të mëdha në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kërkohet të forcohet liria e shprehjes dhe mbrojtja e gazetarëve.
Deri me 18 të këtij muaji, është afati për dorëzimin e amendamenteve në këtë propozim-rezolutë, e pastaj do të debatohet dhe votohet së pari në Komisionin e Politikës së Jashtme e më vonë, diku në pranverë, edhe si rezolutë në seancë plenare të Parlamentit Evropian. (rel)