Pas dhunës policore ndaj të akuzuarve për rastin e “Kumanovës”, kanë reaguar familjarët e të burgosurve. Ata përmes një reagimi me shkrim kanë shprehur shqetësimin e tyre për sjelljen brutale të policisë gjatë transferimit të të burgosurve në gjykatë, transmeton SHENJA. Ata gjithashtu kërkuan që policët urgjentisht të dënohen.
“Ne familjarët e te paraburgusurve të rastit të Kumanovës jemi tejet të shqetesuar dhe indinjuar me sjelljet brutale të policisë speciale maqedone ndaj djemve tanë, gjatë transportit nga burgjet për në gjykatë dhe anasjelltas. Kërkojmë urgjentisht të merren masa ndëshkuese ndaj policisë dhe të ndiqen penalisht për shkeljet e të drejtave të të burgosurve”, thuhet në reagimin me shkrim të familjarëve.
Ata shprehen se, ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, u kishte garantuar se të burgosurit nuk do t’I nënshtrohen torturave fizike.
“Ne kemi qenë më herët në takim zyrtar me ministrin e Drejtesisë së Maqedonisë, Adnan Jashari, i cili na ka garantuar që nga dita kur ata janë vendosur në burgje, se nuk do ketë më dhunë fizike të paktën ndaj tyre, por që në seancën e parë janë torturuar fizikisht dhe psiqikisht”, qëndron në reagimin e familjarëve.
Me këtë rast, familjarët kërkuan që edhe institucionet e Kosovës ta ngrisin zërin për këtë sjellje të policisë së Maqedonisë dhe kërkuan që transportimi i të burgosurve në gjykatë, të përcillet nga ndërkombëtarët.
“Këshilli familjar kërkon nga institucionet e Kosovës që të ngrisin zërin kundrejtë pushtetit maqedon dhe t’i kerkojë llogari për torturat që po u bëhen qytetarëve të saj edhe 7 muaj pas arrestimit, duke mos respektuar konventat ndërkombëtare që i mbrojnë të drejtat e të burgosurve. E vetmja alternativë për të vazhduar seancat e tjera gjygjësore, mbetet që njerzit tanë të shkojnë në seanca me përcjellje të ndërkombëtarëve”, thuhet më tej në reagimin me shkrim të familjarëve të të burgosurve të rastit “Kumanova”.
Familjararët kanë kërkuar hetim të rastit nga OSBE, Kryqi i Kuq dhe Avokati i Popullit dhe njëkohësisht të monitorojnë të gjitha sencat gjyqësore në të ardhmen. Njëkohësisht kërkuan nga faktori politik shqiptar në Maqedoni që të denojë sjelljet, siç e quajtën ata, të pushtetit kriminal në Maqedoni. (ina)