Tiranë: Ambasadori amerikan, Lu, bisedon me qytetarët shqiptarë në Facebook mbi korrupsionin

Ambasadori LuAmbasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu, komunikoi sot me qytetarët përmes rrjetit social Facebook mbi korrupsionin dhe reformën në drejtësi, duke iu përgjigjur një numri të madh pyetjesh të tyre.

Ambasadori Lu tha se korrupsioni nuk luftohet nga ata që e krijuan atë, por nga njerëzit normalë, që votojnë, që punojnë në biznes, në qeveri apo në shkolla, në organizatat joqeveritare, universitete dhe media, sepse politikanët nuk duhen lejuar të kontrollojnë nismën anti-korrupsion.

Zoti Lu tha se në bisedat me qytetarët shqiptarë se ndryshimi i Shqipërinë do të fillojë me ligje të reja – për dekriminalizimin, Zyrën Kombëtare te Hetimeve dhe reformën e gjyqësorit.

“Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet të pushohen nga puna dhe të ndiqen penalisht – theksoi ambasadori amerikan. – Politikanët e inkriminuar duhet të hiqen nga liderët e partive politike, nga parlamenti dhe nga detyrat vendore. Ministra të korruptuar, të mëparshëm dhe të tanishëm, duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre”.

Ambasadori Lu theksoi se sistemi i kontrollit dhe balancës funksionon dobët dhe se institucionet me më shumë nevojë për reforma janë sistemi gjyqësor dhe parlamenti.

Ai tha se miratimi i ligjit të dekriminalizimit do të largojë shumë prej politikanëve me precedentë penalë.

Ambasadori Lu ra dakord me qytetarët se edhe vetë partive politike u duhet reformë për t’u bërë më demokratike, sepse udhëheqësit e partive mund të marrin të gjitha vendimet pa konsultim apo zgjedhje.

B.E.-ja po ashtu i ka kërkuar Shqipërisë të bëjë progres kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformën gjyqësore përpara fillimit të negociatave.

Zyrtarët e korruptuar janë ata që nuk e bëjnë punën e tyre, tha ambasadori Lu, ata nuk e mbështesin reformën, dhe që kalojnë gjithë kohën e tyre duke vjedhur paratë e taksave.

Diplomati amerikan theksoi që shqiptarët duhet të kenë shpresa që reforma në drejtësi është e mundur, sepse ata po ndihmohen nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.

“Kini besim. Ndryshimi po vjen” – theksoi ambasadori amerikan Lu.

Në konferencën kombëtare gjyqësore dje diplomati amerikan tha se gjendja me gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë është e patolerueshme, ndaj reformat po largojnë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar dhe se kjo gjë është kritike për të ardhmen e vendit.

Sipas tij, gjykatësit dhe prokurorët duhet të japin llogari për krimet që mund të kryejnë apo për çdo lloj abuzimi me pushtetin e tyre.

Shumë shqiptarë janë të irrituar nga korrupsioni, por nuk duhet të dorëzoheni.

Ndryshimi është i mundur sepse populli po e kërkon atë, tha ambasadori amerikan, po kërkon veprime të prera kundër korrupsionit dhe reformë në sistemin e drejtësisë.

I pyetur për protestën e 8 dhjetorit ambasadori Lu tha se gjatë protestës u hodhën gurë dhe vezë mbi Kryeministrinë, policët dhe në tre ministrive. Dhe bunkerit iu vu zjarri.

“Përdorimi i këtyre taktikave të dhunshme e zbehu kuptimin e vërtetë dhe domethënien e asaj që mund të ishte një demonstratë e madhe dhe paqësore. Përdorimi i dhunës politike nuk përputhet me vlerat demokratike të Shqipërisë, as me angazhimet e saj në NATO”, tha diplomati amerikan.

Ai theksoi se pasuritë e ministrave dhe parlamentarëve duhet të bëhen publike çdo vitnë mënyrë që partitë politike dhe politikanët të përmirësojnë transparencën në Shqipëri.

Ai shprehu shpresën se gjërat po ndryshojnë në lidhje me korrupsionin, dhe se njerëzit janë të lodhur dhe duan të shohin ndryshime; nga dekriminalizimi i parlamentit, deri tek reforma gjyqësore, tek transparenca financiare e partive politike për të parandaluar blerjen e votave. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>