Kësaj Qeverie po i vjen fundi

albin kurtiIsh-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa ka dy rrugë: dorëheqjen ose rrëzimin.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Kurti ka thënë se kjo Qeveri kuislinge e ka më mirë të dorëhiqet sesa të rrëzohet. Ai ka treguar arsyet pse Qeveria Mustafa duhet të bjerë. “Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se asnjëri prej shtatë kapitujve të Marrëveshjes Mustafa – Vuçiq të 25 gushtit 2015 nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe se janë shkelur gjithsej 23 nene të Kushtetutës. Prandaj, aktgjykimi i këtillë shënon vdekjen e ‘Zajednicës’. ‘Zajednica’ ka vdekur, mirëpo kjo Qeveri po aspiron ta ringjallë ‘Zajendicën’ kundërkushtetuese porsi një zombi. Kjo është arsyeja pse kjo Qeveri duhet të bjerë. Ajo nuk e pranon gabimin dhe ajo nuk ndjen as pendesë e as keqardhje. Arsyeja tjetër pse kjo Qeveri duhet të shkojë është insistimi i saj në Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Nuk e shkarkoi komisionin përkatës dhe tash premton komisione të reja, ndërkohë që i gëzohet cilido deklarim ndërkombëtar që përkrah humbjen e 9 000 hektarëve të Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se kësaj Qeverie po i vjen fundi, duke përjashtuar mundësinë e një Qeverie kalimtare. “S’ka rrugë tjetër. 9 janari është protesta e parë që do të vazhdojë për aq sa do të jetë e nevojshme. Pra, deri në largimin e kësaj Qeverie represive e shfrytëzuese përbrenda shtetit dhe koncesioniste e kapitulluese ndaj shteteve të tjera jashtë. Durimit të qytetarëve po i vjen fundi. Pra, kësaj Qeverie po i vjen fundi. Ne nuk kemi nevojë edhe për një Qeveri tjetër kalimtare sepse Qeveria Thaçi – Mustafa është Qeveri kalimtare. Pas largimit të kësaj Qeverie, e cila është kuislinge politikisht dhe compradore ekonomikisht, duhet të shkojmë menjëherë në zgjedhje të reja parlamentare. Nuk mund të ketë Republikë përderisa interesat private ndodhen mbi të mirën publike. Pra, nuk mund të ketë Republikë të Kosovës përderisa kjo Qeveri është mbi Kosovën”, është shprehur Kurti.
Se sa janë gjasat që tri partitë opozitare të shkojnë në zgjedhje të reja me një listë të përbashkët, Kurti thotë se një gjë është e mundshme. “Është e mundshme, por ende është herët të flitet për këtë çështje. Tash për tash ne jemi të përqendruar te pjesëmarrja qytetare në protesta e jo te parashikimet elektorale. Opozita e bashkuar duhet të fitojë duke e larguar këtë Qeveri para çfarëdo fitoreje tjetër, qoftë ajo edhe elektorale”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se mundësia e fitores së opozitës së bashkuar në vitin 2016 është shumë reale. “E mbani mend qysh në vitet e shkuara, shpesh na thuhej se jemi ende të vegjël krahasuar me PDK-në e LDK-në. Mirëpo, viti që shkoi ishte viti i fuqizimit tonë si asnjëherë më parë. Në vitin e kaluar Lëvizja jonë ishte subjekti që përcaktonte diskursin publik e politik në Kosovë dhe ishim aktivë çdo orë të secilës ditë. Mund të themi se viti 2015 e dëshmoi fjalën e urtë popullore, se ‘i vogli rritet, kurse i rrituri plaket’. Pikërisht kjo ka ndodhur, Lëvizja jonë është rritur, ndërsa PDK-ja e LDK-ja janë plakur. Dhe këta dy pleq u bënë bashkë kundër këtij të riu të rritur. Rezultati i kësaj ndeshjeje dihet. Koha e dëshmon”, ka thënë ish-kryetari Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti.
Kurti në këtë intervistë ka folur edhe për mundësinë e zgjedhjes së Hashim Thaçit president. Kurti ka thënë se muaji prill është aq larg pasi, sipas tij, ky regjim është kaq i dobët saqë qysh tash muaji prill ngjan si një prill i thyer. “Mustafa dëshiron ta zgjedhë Thaçin për president të Kosovës në mënyrë që ai për vete të mbetet kryeministër. Mirëpo, sa deputetë të LDK-së do ta ndiqnin atë në këtë aventurë personale mund të mos e marrim vesh kurrë, për shkak se shumëçka tregon se Qeveria e tij do të bjerë më herët. Merreni me mend se çfarë i bëri Mustafa LDK-së: para një viti ua kërkoi votën deputetëve të LDK-së për Kadri Veselin kryeparlamentar, tash po ua kërkon votën për Thaçin president! Tani që po e arrin moshën e pensionimit, i ka mbetur vetëm edhe ta marrë librezën e PDK-së”, ka thënë Kurti.        
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>