Çfarë do të prodhojë bojkoti i LSDM-së në Maqedoni?

ish-ambasadori Arben CejkuNë Maqedoni tashmë është zyrtare që zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në 24 prill të këtij viti. Pak para shpërndarjes, Parlamenti në Shkup miratoi qeverinë, atë që quhet kalimtare dhe që do të çojë vendin në zgjedhje.

Pas dorëheqjes së Kryeministrit Gruevski, kabinetin tashmë do ta drejtojë Dimitriev, i cili si prioritet ka organizimin e këtyre zgjedhjeve. Mbajtja e zgjedhjeve të 24 prillit ishte vendosur në marrëveshjen e 2 qershorit të vitit që sapo lamë pas. Por, LSDM kërkon shtyrjen e këtyre zgjedhjeve për në muajin qershor, pasi akuzon Gruevskin se nuk ka krijuar kushtet për mbajtjen e tyre. Partia e Zoran Zaev do t’i bojkotojë këto zgjedhje të 24 prillit.

Në këtë situatë pyetjet që shtrohen janë nga më të shumtat, por a e zgjidhin ato krizën e gjatë politike në vendin fqinj apo e thellojnë edhe më shumë hendekun aty?

Për të folur për këto zhvillime ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, zoti Arben Çejku, i cili është një njohës i mirë i zhvillimeve atje.

Pandi Gjata: Tashmë zgjedhjet në Maqedoni janë vendosur për në 24 prill, por LSDM-ja ka deklaruar se do t’i bojkotojë ato. Si e shikon këtë situatë?

Arben Çejku: Duket paradoksale, pasi në një mënyrë opozita provokoi zgjedhjet e parakohshme dhe marrëveshjen e 2 qershorit, ndërsa tani kërkon t’i bëjë bisht ballafaqimit elektoral me partinë e Gruevskit. Këto zgjedhje edhe nëse zhvillohen më 24 prill, gjithsesi nuk është se do të sjellin ndonjë zgjidhje madhore për Maqedoninë për shkak se kriza është më e thellë se sa kaq. Por gjithsesi, shmangia që po tenton të bëjë LSDM-ja është një qëndrim që nuk kontribuon aspak për zgjidhjen e krizës në Maqedoni. Kërkesat shtesë pas marrëveshjes së 2 qershorit tregojnë thjesht një mungesë të seriozitetit politik të kësaj partie opozitare, si dhe frikën e LSDM-së për një rezultat jo të favorshëm, i cili ndoshta nuk do ta lejojë të krijojë një qeveri të qëndrueshme.

Pandi Gjata: A mendon se ka rënë entuziazmi ‘pro’ LSDM-së pas protestave të muajve më parë?

Arben Çejku: Unë mendoj se Zaev i dha goditjet më të mëdha Gruevskit deri në arritjen e marrëveshjes së 2 qershorit siç ishin protestat, por edhe të ashtuquajturat bomba që u lidhën edhe me situatën në Kumanovë. Të gjitha këto ishin pika të dobëta për qeverinë “Gruevski” dhe për profilin e tij politik. Pas 2 qershorit vëmë re se kemi një gërryerje të reputacionit dhe të fuqisë politike të Zaev, i cili duhet ta shfrytëzonte këtë periudhë për të formuar alternativën e tij politike, por që nuk e bëri.  Gjatë kësaj kohe ai nuk arriti të tërheq nga influenca e Gruevskit zotin Ahmeti dhe zotin Thaçi, i cili ndoshta e mirëpret një koalicion me Gruevskin pas zgjedhjeve. Zaev nuk arriti të gjejë mbështetjen e duhur te faktori i brendshëm shqiptar, por edhe te partia e tij ndoshta nuk arriti të artikulojë sa duhet fuqinë politike dhe tashmë i rrethuar nga një pasiguri duket se është vënë në panik. Unë mendoj se Zaev do të ishte më i fort vetëm nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar vitin e kaluar. Gruevski arriti ta fuste në labirintet e dialogut politik, ku Zaev ra politikisht. Unë nuk arrij ta mendojë se si Zaev do të justifikojë bojkotin e zgjedhjeve.

Pandi Gjata: Në këto momente i shikon të ezauruara përpjekjet e ndërkombëtarëve për të zgjidhur krizën?

Arben Çejku: Në fakt, BE-ja në Maqedoni po kërkonte një sukses të munguar pas gjithë këtyre krizave të fundit dhe mendoj se marrëveshjen e 2 qershorit e konsideroi si një lloj suksesi. Por në fakt, vërehet se ka shumë kritika dhe rreth zotit Hahn, i cili gjykohet për një lloj pamjaftueshmërie të njohjes së realitetit në Maqedoni. Unë mendoj se BE-ja dhe vendet e tjera do të ushtrojnë presion pasi është qesharake që këto institucione politike do të tentojnë ta fusin vendin në një krizë të re. Nuk ka ndodhur që partitë t’i shmangen ballafaqimit elektorat, është hera e para që tentohet një gjë e tillë. Kjo është pozitive për Gruevskin, i cili në këtë rast mund të thotë se “nuk kam me këtë të ballafaqohem”. Në këtë rast, kjo do të ishte një bumerang për kërkesat e LSDM-së për ndryshime në qeveri. Nëse LSDM do të bojkotojë zgjedhjet e vendos Gruevskin si lider për një periudhë pa afat.

Pandi Gjata:  LSDM-ja, partia kryesore opozitare në Maqedoni, që prej ikjes së Cervenkovskit mund të themi se nuk e ka marrë veten. Në këtë situatë që ajo i bojkoton zgjedhjet fituesi është i ditur pa u zhvilluar ato. Me shumë gjasa, nëse ndodh kështu, Gruevski do të jetë sërish në qeveri me BDI-në e Ahmetit. A është gati Maqedonia të mbajë një proces zgjedhor në këtë situatë tensione, krize të gjatë politike dhe cila mund të jetë zgjidhja?

Arben Çejku: Kam përshtypjen që i gjithë presioni ndërkombëtar do të reflektojë brenda strukturës drejtuese të LSDM-së sepse unë jam i bindur se jo i gjithë lidershipi i LSDM-së mendon për të bojkotuar zgjedhjet sepse është një rast i paprecedent. Mendoj se deri në 24 prill është një afat i mjaftueshëm që të ketë një pastrim dhe një rregullim të listave zgjedhore. Për sa i përket standardit të lirisë së medias, mund të them se është një standard që është cenuar dhe nuk mund të vendoset vetëm për një muaj apo një muaj e gjysmë. Puna e opozitës tashmë nuk është vetëm vendosja e lirisë së medias në një standard të ri, por është paraqitja e një alternative qeverisëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>