Vlera e aksioneve globale ra ndjeshëm dje, pasi një ulje tjetër e çmimeve të naftës solli si rezultat shitje të tyre nga Azia në Nju Jork. Indeksi i Dow Jones, ra në një moment më shumë se 500 pikë, para se të rikuperonte gjysmën e tyre deri në mbyllje të bursës. Paqëndrueshmëria dhe rënia drastike e bursës, pasqyron një ndjesi shqetësimi në rritje për ekonominë globale.
Çfarë po e shkakton paqendrueshmërinë e tregut? Analistët thonë se është një kombinim faktorësh: ngadalësimi në Kinë dhe rënia e ndjeshme në çmimet e naftës.
Dan Veru, është kryespecialist investimesh tek kompania Palisade Capital:
“Rënia e çmimit të naftës së papërpunuar ka shkaktuar frikë në shkallë globale jo vetëm për një recesion të mundshëm në Kinë por një ngadalësim global”.
Por shpjegimi më i thjeshtë mund të jetë pesimizmi:
“Optimizmi është shumë më i dobët sesa një vit më parë”, thotë Presidenti i kompanisë PriceWaterhouseCooper, Dennis Nally.
Ai shton se anketa e fundit e drejtuesve të biznesit nga 80 vende tregon se një ndër katër vetë besojnë se ekonomia globale është në rrugën e duhur, krahasuar me një ndër dy, vetëm dy vjet më parë. Po të ishte bërë anketa këtë vit, ndjesia mund të kishte qenë e ndryshme:
“Nëse do ta kishim bërë sondazhin në dy javët e para të janarit, duke pare mjedisin që ekziston tani, do të kishte qenë edhe më keq, prandaj është një situate jo shumë e këndshme”.
Dhe më të vështirë e bën gjendjen, ngadalësimi ekonomik në Kinë, sipas guvernatorit të bursës së Nju Jorkut, Peter Costa:
“Sa herë që ngadalësohet rritja në Kinë, është për t’u shqetësuar sepse ndikon pa diskutim tek korporatat amerikane dhe ato ndërkombëtare. Ka shumë kompani që kanë biznese me Kinën dhe nëse ato biznese pakësojnë shpenzimet për shkak të rënies në Kinë, pa dyshim që ndikon tek fitimet në Shtetet e Bashkuara”.
Megjithatë shumë besojnë se ekonomia amerikane ka qëndrueshmëri të mjaftueshme për ta përballuar gjendjen:
“Ne mendojmë se rreziku për recesion është mjaft i ulët, ndoshta tek 10-15 për qind, që është mjaft i butë”.
Dan Veru i këshillon investitorët që ta shohin në perspective fillimin e vitit 2016:
“Mendoj se kur ta kthejmë kohën pas, do ta shohim si një periudhë kur mund të kishim nxjerrë shumë fitime, nëse i rifusim paratë tek asetet financiare”. (voa)