Ministrja e Brendshme e Austrisë Mikl-Leitner ka sinjalizuar se do të caktohet një kuotë maksimale ditore për refugjatët. Ministri i Jashtëm, Kurz do të bindë Serbinë e Maqedoninë që kufijtë e tyre të mbrohen nga BE.
“Pikërisht në Maqedoni, por edhe në shtete të tjera përgjatë itinerarit ballkanik ne kemi një gatishmëri të madhe për ta reduktuar vërshimin e refugjatëve, për të frenuar atë, mbase edhe për ta ndaluar. Dhe këtë gatishmëri ne duhet ta shfrytëzojmë”, u shpreh në Vjenë ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz. Ai shtoi se nëse Greqia nuk do të jetë edhe më tej në gjendje që t’i ndalojë refugjatët që vijnë nga Turqia, kjo duhet të ndodhë në kufi me Maqedoninë. Edhe Austria vetë do të vërë në dispozicion ushtarë dhe policë, plotësoi ministri i ri i Mbrojtjes i Austrisë, Hans-Peter Doskozil.
“Besoj se ushtria jonë e ka dëshmuar në Austri se është në gjendje t’ua dalë mbanë detyrave të saj në drejtim të sigurimit të kufirit, por edhe në drejtim të funksionimit të qendrave të regjistrimit. Dhe ngjashëm, e përfytyroj mund të funksionojë edhe atje ndarja e detyrave.”
Frikërat në shtetet ballkanike
Të gjitha shtetet ballkanike mendojnë të shqetësuara se në vendet e tyre mund të grumbullohen dhe të ngecin refugjatët. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të cilin Sebastian Kurz-i do ta takojë sot ka paralajmëruar tashmë:
“Ne nuk mund të pranojmë 100.000 ose 200.000 refugjatë, sepse Serbia nuk mund ta përballojë këtë. Ne nuk duam të kthehemi në “shesh parkimi” për refugjatët dhe do të dimë t’i mbrojmë interesat tona nacionale.”
Stacioni më i rëndësishëm për Sebastian Kurz-in është Maqedonia, ku ai do të zhvillojë bisedime në fund të javës. Maqedonia ka nisur të ndërtojë një gardh të dytë në kufi me Greqinë, pesë metra pas një gardhi ekzistues në pikëkalimin kufitar të Gevgelijas. Më shumë se 30 km i gjatë besohet se do të jetë gardhi i dytë i sigurisë. Politologu maqedonas Petar Arsovski thotë se kufiri i Maqedonisë është mirë që po forcohet. “Por meqenëse ne nuk kemi male të larta, por territor të hapur, një fushë të madhe, na nevojitet shumë teknikë dhe personel shtesë, për të krijuar një grykë shisheje funksionuese për refugjatët.”
Maqedonia e mbingarkuar
Sipas Arsovskit, një problem i madh është që Maqedonia vetë nuk është stabile, që i duhet të përballojë dy kriza njëkohësisht – krizën e refugjatëve dhe krizën qeveritare. Kryeministrit Nikola Gruevski iu desh të japë dorëheqjen, data për zgjedhjet e reja vazhdon të mos jetë e qartë.
Arsovski thotë se vendi i tij ka nevojë urgjente për ndihmë teknike dhe financiare. “Na nevojitet një koncept politik, të mbështetur nga i gjithë BE, që të bëjë efekt. Ne kemi frikë, jemi një vend shumë i vogël. Qindra mijëra refugjatë të tjerë, siç parashikohet prej disa, do t’i mbingarkonin kapacitetet tona.” (dw)