Një studim i Qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, nxjerr në pah se shumica e qytetarëve të anketuar besojnë se bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë po dështojnë të arrijnë qëllimin e tyre, ndërsa kanë shprehur qëndrim kundër themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Rezultatet janë përmbledhur në një edicion të Barometrit të Sigurisë, nëpërmjet të cilit qendra ka bërë matjen e opinionit publik për politikën e jashtme dhe bisedimet me Serbinë.
Donika Emini nga kjo qendër thotë se qytetarët e Kosovës kanë shprehur pakënaqësinë me bisedimet pasi që, sipas tyre, vendi nuk ka përfituar asgjë. Ajo thotë po ashtu se kundërshtimi ndaj asociacionit të komunave me shumicë serbe ka shënuar ngritje.
“Mund të themi që ka pasur një ngritje prej dhjetë për qind në qasjen negative, mbi 70 për qind kanë thënë që kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën dhe kjo ka shënuar rritje prej vitit të kaluar për shkak se qytetarët e Kosovës e kanë parë se çka përmban marrëveshja dhe diskursi i ashpër politik ka ndikuar që qytetarët e Kosovës ta shohin nga një anë negative”, tha ajo.
Sipas zonjës Emini, debatet e ashpra e muajve të fundit kanë ndikuar te qytetarët në formësimin e mendimit të tyre për asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për studimin e politikave, Naim Rashiti, tha se rritja e pakënaqësisë kundër marrëveshjeve me Serbinë është pasojë e mungesës së transparencës nga ana e institucioneve ndaj qytetarëve.
“Nëse ky hendek krijohet në një nivel të pasigurisë, pasi që më shumë se 80 për qind e qytetarëve e shohin të rrezikshëm, ky është alarm i sigurisë dhe nëse ky hendek krijohet për një asociacion, çka do të ndodh kur të fillojnë proceset tjera të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve”, tha zoti Rashiti.
Analisti i Grupit për Studime Juridike dhe politike, Fisnik Korenica, tha se mungesa e konsensusit për bisedimet me Serbinë ka rritur tensionet në Kosovë. Ai tha se një rritje e lartë e numrit të qytetarëve kundër marrëveshjes për asociacionin, duhet trajtuar me kujdes.
“Një percepcion i tillë mendoj që kërkon qasje serioze nga ana e qeverisë por edhe miqve ndërkombëtarë, meqë një kundërshtim i tillë duhet shikuar realisht se mos po përkthehet të nesërmen në një tension që është vështirë pastaj të menaxhohet”, tha zoti Korenica.
Partitë politike në Kosovë nuk po arrijnë të pajtohen për rrugën e zgjidhjes së krizës politike, që ka hyrë në muajin e gjashtë të saj. Opozita e cila ka paralajmëruar protesta për datën 17 shkurt, që shënon edhe tetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kërkon shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe largimin e qeverisë në dritën e vlerësimeve të gjykatës kushtetuese mbi marrëveshjen e arritur me Serbinë për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në muajin dhjetor Gjykata Kushtetuese tha se pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Qeveria e Kosovës është zotuar sërish të martën se do ta zbatojë në tërësi vendimin e Gjykatës në fazat që ndërlidhen me hartimin e dokumenteve mbi asociacionin.
Situata aktuale mund të sfidojë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, që sipas kushtetutës duhet të ndodhë deri më shtatë mars, meqë presidenti zgjidhet një muaj para përfundimit të mandatit të presidenti aktual.
Bisedimet me Serbinë i siguruan Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ndërsa Serbisë, hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (voa)