Beg Rizaj, Mirsad Ndrecaj dhe dy pjesëtarë të grupit të Kumanovës janë likuiduar pas dorëzimit në polici. Kjo u tha nga i akuzuari Rufki Dogani në vazhdimin e sotëm të procesit gjyqësor kundër të akuzuarve për ngjarjen në lagjen e trimeve. I akuzuari tjetër Nasuf Zeqiri tha se nga Rizaj dhe Ndrecaj kishin marrë urdhër që të mos gjuajnë vetëm në ajër.
Zeqiri tha se procesi është i montuara nga strukturat e sigurimit të shtetit.
“Beg Rizaj, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi dhe Sami Kastrioti janë vrarë në stacionin policor. Ata bashkë me të mbijetuarit e tjerë iu dorëzuan policisë, por më pas u ekzekutuan”. Kështu i akuzuari Rufki Dogani në rastin “Lagja e trimave” iu drejtua gjykatës në seancën e sotme, ku mbrojtja paraqiti deklaratat hyrëse. Dogani me tej tha: “Mos e mbuloni të vërtetën me fjalën terrorizëm.”
Dëshminë e tij në sallën e gjyqit e mbështeti edhe avokati i tij.
I akuzuari Nasuf Zeqiri tha se anëtarët e grupit më 9 maj ishin vetëm figura në Lagjen e trimave.
“Dua tu them evropianëve dhe amerikanëve, ta dinë se nga Rizaj dhe Ndrecaj kemi marrë urdhër të mos hapim zjarr ndaj policisë, por të gjuajmë vetëm në ajër. Askush këtu në sallën e gjyqit nuk do ta pranojë fajësinë, sepse ky rast është i montuar”, tha Nasuf Zeqiri, i akuzuar.
Në mesin e të akuzuarve është edhe polici nga Vaksinca – Arsim Bajrami i cili tha se në këtë lojë janë të përfshirë pjesëtarë të sigurimit të shtetit. Ai shpresonte se gjatë gjykimit do të zbulohen të gjithë me emër dhe mbiemër. Dhe për vete tha se ndjehet si një perde e shërbimeve të sigurisë të cilët, siç tha, duan ti fshehin lojërat e tyre.
Të gjithë të 29- të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale për të cilat akuzohen – terrorizëm dhe organizatë terroriste.
“Gjatë gjithë procesit, si mbrojtje do të dëshmojmë se nuk janë plotësuar elementet thelbësore të veprave për të cilat janë ngarkuar pothuajse të gjithë të akuzuarit. Shihet nga reagimi i tyre, dhe nga një pjesë e deklaratave të tyre, se prapavija është diçka tjetër, për të cilën publiku di më shumë se mediat. Unë mendoj se këtë gjatë procedurës do ta dëshmojmë me fakte dhe dëshmi”, deklaroi Lupço Veselinovski, avokat i Fadil Felzulahit.
Të akuzuari në gjykatë thanë se shpresojnë se do të fitojë drejtësia, dhe se e vërteta do të dëshmohet, sepse këtë ua kanë borxh të rënëve dhe të plagosurve në Kumanovë më 9 dhe 10 maj.Seanca e radhës është caktuar për 23 shkurt.
Maja Jovanovska