Në kryeqytet do të angazhohen 1548 punonjës policie. Në terren edhe Garda, e shërbimet sekrete. Të bllokuara akset rrugore ku do të kalojë Sekretari amerikan i Shtetit
Në Shqipëri policia njoftoi sot se ka marrë masa të forta sigurie për të garantuar vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry, gjatë paradites së nesërme në Tiranë. Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë publike Altin Qato tha sot se përvec strukturave të policisë janë angazhuar dhe ato të Gardës si dhe shërbimi sekret, përfshi ai i Ushtrisë. Në total, sic shpjegoi zoti Qato, “janë angazhuar 1548 punonjës policie nga strukturat e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të rendit publik, Antiterrorit, Policisë Rrugore , të Forcave Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë. Po kështu për kontrollin nga ajri do të patrullojë një helikopter i Forcave të Armatosura me një grup të Forcave Speciale të Ushtrisë”.
Sekretari amerikan pritet të mbërrijë në orën 9.00 të paradites. E gjitha rruga nga aeroporti deri në bulevardin qëndror dhe akset ku do të lëvizë zoti Kerry do të jenë të ndaluara për qarkullim e do të jenë nën vëzhgimin e rreptë të forcave policore. Ndërkohë prej pasdites së djeshme ka nisur vendosja në anët e rrugëve, e flamujve shqiptarë dhe amerikanë.
Në aeroport sekretari amerikan do të pritet nga presidenti Bujar Nishani, me të cilin do të ketë po aty edhe një bisedë. Gjatë takimeve të tij zyrtare, sekretari Kerry, do të zhvillojë një bisedë dypalëshe me ministrin e jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, për të vijuar më pas me kryeministrin Edi Rama. Takimi i radhës do të jetë me kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Qëndrimi në Tiranë pritet të mbyllet me një bashkëbisedim të sekretarit amerikan të Shtetit me një grup të rinjsh shqiptarë.
Ndër temat kryesore të takimeve zyrtare parashikohen ato që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe dhe forcimin e mëtejshëm të tyre. Vitin e kaluar Shqipëria nënshkroi dhe dokumentin e Partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni është një mbështetës i fortë i procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe kjo pritet të jetë një tjetër temë diskutimi, me fokus reformën në Drejtësi, për të cilën amerikanët kanë luajtur një rol të dorës së parë. Palët pritet të diskutojnë dhe mbi situatën në rajonin e Ballkanit dhe zhvillimet e fundit, vecanërisht në Kosovë si dhe problemin e krizës së refugjatëve.
Shqipëria i konsideron Shtetet e Bashkuara një partner strategjik. Në vitin 2012, gjatë vizitës së atëhershme të sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton, qeveria e ish kryeministrit Berisha ju përgjigj pozitivisht kërkesës për strehimin e 210 muxhahedinëve, përfaqësuesë të opozitës iraniane, të cilët gjendeshin në Irak. Grupi i parë prej 14 vetësh mbërriti në Tiranë në majin e 2013. Nga ana e saj edhe qeveria e kryeministrit Edi Rama ju përmbajt angazhimit të parardhësit. Zoti Rama e pohoi vetë këtë gjatë ndërhyrjes në parlament një ditë më parë kur u shpreh se “është vazhdë e një angazhimi që ne e respektojmë dhe do të vazhdojmë ta respektojmë për arsye që s’ka nevojë t’i shtjellojmë këtu”, deklaroi kryeministri.
Në fakt, grupe të tjera muxhahedinësh kanë vijuar të strehohen në Shqipëri. Një pjesë e tyre e kanë lënë më pas vendin, por janë disa qindra që gjenden ende në territorin shqiptar, dhe nën kujdesin e autoriteteve, të cilat janë të gatshme të presin edhe grupe të tjera, ndoshta me një numër më të madh nga ai i këtyre viteve të fundit.
Zoti Kerry, është sekretari i pestë i Shtetit i cili viziton Shqipërinë. E para vizitë, është ajo e vitit 1991 e sekretarit James Baker, për t’u pasuar 9 vjet më vonë nga Madeleine Albright. Në vitin 2013 do të jetë radha e Colin Pawell, ndërsa 9 vite të tjera më vonë Tiranën e vizitoi zonja Clinton. (voa)