Partitë opozitare në Kosovë i kanë bërë të gjitha përgatitjet për protestën e ditës së Pavarësisë, e cila do të fillojë në orën 14:00.
Podiumi, ku do të ngjiten tre udhëheqësit e opozitës për të mbajtur fjalime para protestuesve, është rregulluar të martën pasdite, pak metra përpara objektit të Qeverisë.
Sipas axhendës së opozitës, autobusë nga të gjitha qytetet e Kosovës do të sjellin protestuesit për t’u mbledhur fillimisht para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, nga ku do të bëhet nisja në këmbë përgjatë sheshit “Zahir Pajaziti”, te sheshi “Nënë Tereza”, për t’u ndaluar pastaj te sheshi “Skënderbeu” para Qeverisë.
Një ditë para protestës, Presidentja Atifete Jahjaga i ka bërë thirrje opozitës, që protesta të jetë e qetë dhe e dinjitetshme, pasi bëhet në ditën e festën e Pavarësisë.
“Apelojmë që, si protesta edhe festa të jenë të dinjitetshme, sepse dita e nesërme është ditë e madhe për Kosovën, është ditë e madhe për popullin tonë, është një ditë e shenjtë për të gjithë qytetarët e Republikës. Ndaj dhe ne nuk duhet që këtë ditë ta prishim, s’duhet t’ia prishim as vetes dhe as popullit të Kosovës”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.
/ Top Channel