Intervistë me zv/kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi

Hashim ThaciZëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në Kosovë nuk ka krizë institucionale, por, siç tha ai, anarki opozitare. Në intervistën dhënë korrespodentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zëvendëskryeministri Thaçi, tha se zgjedhjet e reja do të mbahen në afatet kushtetuese, pas dy vjetësh, ndërsa zgjedhja e presidentit gjatë muajit shkurt. Ai mohoi zërat se kriza aktuale në Kosovë po shfrytëzohet për të zvarritur ngritjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, Kosova po shënon tetë vjetorin e pavarësisë së saj në një kohë kur po përballet me krizën politike më të rëndë që nga shpallja e saj. Si e shihni zgjidhjen e kësaj krize?

Hashim Thaçi: Kosova po shënon tetë vjetorin e pavarësisë në një rrethanë të përparimit, kemi fituar 111 njohje ndërkombëtare, është anëtarësuar në shumë organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare në mesin e tyre edhe 29 federata sportive dhe presim që shumë shpejt Kosova të anëtarësohet në UEFA dhe FIFA, ndërsa sivjet për herë të parë do të marr pjesë edhe në lojërat olimpike në Rio De Janeiro. Kosova këtë tetë vjetor e shënon në një stabilitet shtetëror me një forcim të subjektivitetit të vet ndërkombëtar, si një vend i respektuar prej miqve dhe partnerëve të bashkësisë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë mund të them lirisht se ky tetë vjetor shënon edhe vitin e Kosovës evropiane sepse vetëm sa është nënshkruar marrëveshja e Stabilizim Asocimit por edhe tash kur jemi në prag të rekomandimeve për liberalizimin e vizave. Pra, kemi të bëjmë me një sukses të konsiderueshëm dhe në të njëjtën kohë shteti i ri i Kosovës përballet me sfida që i kanë edhe vendet tjera të rajonit, para se gjithash për të vazhduar trendin pozitiv të zhvillimit ekonomik, për të vazhduar thellimin e reformave në të gjitha sferat, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj.

Zëri i Amerikës: Sipas jush, në Kosovë nuk ka krizë?

Hashim Thaçi: Në Kosovë ka anarki opozitare, por jo krizë institucionale, ka veprime arbitrare që e cenojnë dhe rrezikojnë demokracinë dhe të arriturat e Kosovës. Por, ne jemi të vendosur si institucione legjitime, legale dhe me një mazhorancë të fuqishme të vazhdojmë reformat e nevojshme, zbatimin e plotë të kritereve të Kopenhagës edhe në ekonomi, politikë dhe legjislacion, të punojmë për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, të krijojmë një ambient që çdo qytetar të ndihet mirë dhe krenar për të jetuar në Kosovë. Kosova është një vend i sigurt dhe me perspektivë të sigurt evropiane dhe se asnjë veprim anarkist ose që nuk përkon me traditën e qytetarëve të Kosovës, politikës së Kosovës dhe vizionit politik të vendit tonë nuk do të ngadhënjejë mbi vullnetin e qytetarëve, mbi institucionet legjitime, pra nuk do të mund të sfidohet as shteti e as institucionet prej asnjë ambicie që përmes rrugës të vijë në pushtet. Mund të ketë vërejtje dhe sugjerime për punën që bëhet, por ato duhet të prezantohen në institucionin më të nderuar të shtetit në Parlamentin e Kosovës. Ne e respektojmë të drejtën e njerëzve për të ngritur zërin ndaj çështjeve që janë të diskutueshme, por, në të njëjtën kohë duhet kuptuar se në pushtet arrihet përmes kutisë së votimit dhe jo përmes proceseve të dhunshme apo veprimeve arbitrare. Opozita kauzën e ka të gabuar dhe metodat i ka plotësisht të papranueshme.

Zëri i Amerikës: Opozita po kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kur kemi parasysh që ky është vit i zgjedhjeve edhe në një pjesë të madhe të rajonit, a mund të presim që kjo të ndodhë edhe në Kosovë?

Hashim Thaçi: Opozita është duke kërkuar ardhjen në pushtet edhe pa zgjedhje, është duke kërkuar shpërbërjen e parlamentit, por se kur shpërbëhet parlamenti vendoset në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe në afatin e rregullt kushtetues. Zgjedhjet do të organizohen në vjeshtën e vitit 2017 ato lokale ndërsa të përgjithshmet në qershor të vitit 2018. Vlerësoj që do të ishte me interes që udhëheqësit opozitar të kuptojnë, e para që të distancohen nga dhuna dhe e dyta të vihen në shërbim të përparësive të shtetit që ta forcojmë edhe më tepër dhe në asnjë rrethanë të pretendojmë për të dëmtuar pushtetin e në të njëjtën kohë janë duke e lënduar rëndë shtetin e Kosovës sepse koalicioni ka një mazhorancë të fuqishme dhe nuk është i cenueshëm politikisht prej këtyre veprimeve opozitare, por është duke u lënduar rëndë shteti i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ç’të keqe do të kishte nëse Kosova i mban zgjedhjet e parakohshme?

Hashim Thaçi: Ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje çdo herë që dikush humb garën elektorale dhe pastaj pretendon të përsërisë edhe njëherë atë proces elektoral. Zgjedhjet mbahen një herë në katër vite, mazhoranca në Kosovë është shumë e fuqishme dhe në zgjedhje shkohet nëse nuk ka mazhorancë koalicioni ose humb shumicën në parlament apo situata tjera, por në një situatë normale nuk ka arsye që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Përkundrazi, shteti do të funksionojë dhe do të kryej të gjitha obligimet që dalin përball me përparësitë që kemi si vend edhe në të njëjtën kohë përball bashkësisë ndërkombëtare. Ftoj të gjithë ata njerëz të distancohen prej veprimeve të tilla sepse i kanë qitur një hije të keqe shtetit tonë në këto gjashtë muajt e fundit.

Zëri i Amerikës: Kosova tash duhet të zgjedh edhe presidentin meqë skadon mandati i presidentes Atifete Jahjaga, Sipas marrëveshjes suaj me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ky post ju takon juve. A do të jeni ju presidenti?

Hashim Thaçi: Partia Demokratike e Kosovës dhe unë do ta respektojë në tërësi marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partnerët tjerë të koalicionit që përbëjmë rreth 90 deputetë. Zgjedhja e Presidentit të vendit do të ndodhë në afatin e rregullt kushtetues e ligjor në një procedurë të përpiktë dhe një proces transparentë gjatë muajit shkurt.

Zëri i Amerikës: Kur është kjo datë?

Hashim Thaçi: Ende nuk është caktuar nga kryesia e parlamentit, por ne do të respektojmë në tërësi procedurat, transparencën e plotë me një president me legjitimitet të plotë qytetar dhe natyrisht në një proces të transparencës së plotë në kuptimin legal.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, kundërshtarët nga opozita dhe një pjesë nga partneri juaj i koalicionit shprehen kundër kandidaturës suaj. Sa mund ta vështirësojnë zgjedhjen tuaj ata?

Hashim Thaçi: Unë nuk jam kandidat i ndonjë individi të caktuar, jam kandidat i një marrëveshjeje të përbashkët në mes dy partive të fuqishme në vend, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partnerëve tjerë të koalicionit. Unë kuptoj zërin opozitar, në të njëjtën kohë kuptoj edhe zërat që mund të dëgjohen aty, por mund të them se presidenti i ardhshëm i Kosovës do të jetë një prej presidentëve më legjitim që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës duke vlerësuar lartë edhe punën e presidentit Rugova, presidentit Sejdiu, presidentit Pacolli dhe presidentes Jahjaga.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, kriza politike në Kosovë pasoi mospajtimet për rezultatet e bisedimeve me Serbinë dhe se kundërshtarët e tyre thonë se nuk e kanë ndryshuar qasjen e Beogradit, dhe në të njëjtën kohë e kanë dobësuar Kosovën. Sa realisht kanë ndikuar këto bisedime për normalizimin e marrëdhënieve?

Hashim Thaçi: Dialogu në Kosovë ka shënuar një kthesë dramatike në kuptimin e largimit të ndikimit të Serbisë në Kosovë. Në anën tjetër të afrimit të komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës. Më herët disa prej tyre kanë qenë nëpër barrikada tash janë në Parlamentin e Kosovës, në institucionet legjitime, në anën tjetër ne kemi organizuar zgjedhje për herë të parë sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës edhe në veri të vendit si ato të përgjithshme dhe lokale. Tash policia dhe doganierët e Kosovës janë në pikat kufitare me Serbinë. Kemi funksionimin e sistemit të drejtësisë, janë integruar serbët në policinë e Kosovës, po e ri integrojmë veriun përmes këtij procesi dhe po e largojmë ndikimin e plotë të Beogradit. Arsye për reagime të tilla nga opozita nuk ka pasur sepse këto reagime armiqësore ndaj komunitetit serb në Kosovë vetëm sa mund ta lëndojnë dhe dëmtojnë Kosovën e re evropiane, shumë etnike dhe të largojnë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën. Pra, thirrjet e tyre armiqësore janë të frikshme dhe shqetësuese edhe për serbët, por në të njëjtën kohë edhe për demokracinë në tërësi në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, procesi i bisedimeve lidhet me emrin tuaj. Sa ndjeheni përgjegjës për krizën që ka kapluar vendin?

Hashim Thaçi: Gjitha veprimet tona kanë qenë kushtetuese dhe ligjore. Marrëveshjen që kam nënshkruar në vitin 2013 është ratifikuar në Parlamentin e Kosovës. Ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese dhe është vlerësuar se është gjithçka në përputhje me Kushtetutën. Marrëveshjen e vitit 2013 që e kam nënshkruar ka marr pjesë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe e kanë votuar në parlament, e ka votuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës kështu që e vlerësoj edhe partinë e zotit Haradinaj për votimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në të njëjtën kohë vlerësoj lartë dhe konstruktivitetin të udhëheqësit opozitar dhe Lidhjes Demokratike të zotit Mustafa tash kryeministër aktual. Në atë kohë, unë kam arritur që të krijojë një unitet më të gjerë dhe të pranueshëm prej gjithë subjekteve politike në Kosovë ndërsa sot ata po reagojnë ndaj gjërave dhe çështjeve të cilat vet i kanë pranuar dhe vet i kanë votuar.

Zëri i Amerikës: Zoti zëvendëskryeministër, shumë veta në Kosovë por edhe jashtë saj pohojnë se kriza aktuale po shfrytëzohet për të zvarritur funksionalizimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte. Si i vlerësoni pohimet e tilla?

Hashim Thaçi: Unë sinjale të tilla nuk kam dhe opinione të tilla nuk kam. Kam dëgjuar opinionet e lira, por është një proces i pandalshëm. Kosova ka kryer të gjitha obligimet e veta, ne i besojmë sistemit të drejtësisë ndërkombëtare, nuk kemi asgjë për të fshehur dhe mendoj se ky proces duhet të shndërrohet në përparësi për Kosovën dhe jo të pretendohet që të paraqitet si frikë apo për të keqen e vendit tonë.

Zëri i Amerikës: Transparency International e radhiti Kosovën shume poshtë sa i përket shkallës së korrupsionit. Edhe, Këshilli i Evropës e cilësoi atë madje endemik. Ju jeni tashmë që nëntë vite në qeveri. Sa ndjeheni përgjegjës për këtë situatë?

Hashim Thaçi: Është fat që sistemi  i drejtësisë në Kosovë në kuptimin ekzekutiv është udhëhequr prej bashkësisë ndërkombëtare tash e 16 vite, njëherë prej UNMIK-ut dhe pastaj prej EULEX-it. Pavarësisht prej opinioneve të ndryshme, unë vlerësoj se EULEX-i ka bërë një punë të mirë, ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar së bashku me institucionet e vendit ndërsa tash po ndodh një proces krejt normal i bartjes së autoritetit më të fuqishëm tek institucionet e vendit. Institucionet tona kanë krijuar përvojën dhe ekspertizën e duhur, por natyrisht duhet të vazhdojmë edhe më tepër në këtë drejtim dhe do të jemi të pakompromis sepse është një prej kushteve themelore për të ardhmen evropiane të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>