Pa formimin e një gjykate speciale, prokuroria speciale do ta ketë të vështirë të kryej punën e saj. Kështu ka vlerësuar Ermira Asani Salija nga Lëvizja Besa në emisionin “Rruga drejt…” Fajin për politizimin e gjykatave, ajo e ka adresuar tek koalicioni VMRO-BDI.
”Skajshmërisht janë fajtor për politizimin e gjykatave dhe për këtë tani më gjykatat janë të rrënuara tërësisht dhe qytetarët nuk kanë më aspak besim në këto gjykata dhe jorastësiht ne kemi ngritur kërkesën për themelimin e gjykatës speciale”, tha Ermira Asani Salija, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Besa.
Rafiz Haliti nga BDI ka premtuar se do të përkrahin deri në fund prokurorinë speciale, qoftë edhe nëse kjo prokurori do të ngrejë aktpadi ndaj funksionarëve të lartë të BDI-së.
“Gjithsesi se ne si subjekt politik do të qëndrojmë deri në fund pas Prokurorisë speciale pasi që jemi të interesuar vërtetë gjithë ajo që ka ndodhur në R. e Maqedonisë, ku ne si parti në pushtet nuk kemi pasur ndikimin tonë, qoftë aferat prej asaj së “Sopotit” deri te rasti i Kumanovës. Ne si subjekt politk kemi qenë të interesuar që këto raste të zbardhen deri në fund”, deklaroi Rafiz Haliti, Nënkryetar i kuvendit nga radhët e BDI-së.
Kryetari i Shoqatës së ish të përndjekurve politik shqiptar, Shpëtim Pollozhani ka shfaqur deprtimimin e tij në raport me politikbërjen aktuale në vend dhe ka porositur për krijimin e një gjenerate të re politike.
“Unë mendoj se shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë më keq seç janë tani dhe duhet ndryshimi i kësaj mendësie politike, duhet një frymë e re politike, një filozofi e re politike, nuk e kam fjalën radikale por duhet të ndërrohen gjeneratat. Edhe gjarpri që të rritet e ndërron lëkurën, nëse nuk e ndërron lëkurën ai ngordh, domethënë kjo ndodh edhe me partitë politike”, tha Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish të përndjekurve politik shqiptar.
Në emisionin e mbrëmshëm ishte i ftuar edhe Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari por siç ka thënë ai, për shkaqe objektive ka refuzuar pjesëmarrje në “Rruga drejt…”.
Agron Vrangalla