Kriza humanitare në Siri dhe synimet gjeopolitike të Rusisë

putinA po bën përpjekje Rusia që të krijojë refugjatë nga Siria dhe t’i përdorë ata si mjet gjeopolitik për të minuar Turqinë, Bashkimin Evropian dhe NATO-n?

Kështu pretendojnë disa zyrtarë në Ankara dhe Uashington.

Sipas tyre, Kremlini, duke vepruar në mbështetje të regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, si dhe të milicive kurde në Siri, është duke krijuar qëllimisht një fluks të ri të refugjatëve, për të trullosur Turqinë dhe Evropën.

Ekspertët thonë se ndërhyrja e Rusisë në Siri është shkaku kryesor i zhvendosjes së mbi gjysmë milioni sirianë, që nga muaji shtator, dhe i pritjeve se në vitin 2016 do të ketë edhe më shumë sirianë në Evropë, sesa rekordi i parë vitin e kaluar.

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka thënë se Rusia “është duke u sjellë si organizatë terroriste dhe duke detyruar civilët të ikin”, pasi ajo kryen sulme ajrore “pa dallim midis civilëve dhe ushtarëve, ose fëmijëve dhe pleqve”.

Senatori amerikan, John McCain, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, “do që të përkeqësojë krizën e refugjatëve dhe ta përdorë atë si armë për të ndarë aleancën trans-atlantike dhe për të dëmtuar projektin evropian”.

McCain ka thënë se Putin po ashtu përpiqet të zgjerojë ndikimin ushtarak dhe gjeopolitik të Rusisë në Lindjen e Mesme.

Fabrice Balanche, ekspert për Sirinë në Universitetin e Lionit, pajtohet me vlerësimin e McCainit.

Balanche akuzon forcat e Rusisë dhe të Assadit se punojnë së bashku “në kuadër të një strategjie të qëllimshme të spastrimit etnik” kundër fiseve arabe sunite dhe grupeve të tjera që kundërshtojnë regjimin sirian.

Sipas tij, “është e qartë se spitalet janë cak prioritar” për forcat e Assadit dhe se “disa sulme ruse kanë shkatërruar qëllimisht spitalet” dhe infrastuktura të tjerë, në mënyrë që t’i detyrojnë civilët të ikin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka mohuar se forcat ruse kanë goditur spitalet, qoftë qëllimisht apo gabimisht.

Peskov ka thënë se “ata që bëjnë deklarata të tilla, nuk janë në gjendje t’i mbështesin ato me prova”.

Regjimi i Assadit, i cili është akuzuar nga qeveritë perëndimore për përdorim të armëve kimike, ndërsa nga grupet e të drejtave të njeriut për përdorim të bombave thërrmuese dhe të taktikave të rrethimit të qendrave urbane, fajëson koalicionin që udhëheqin Shtetet e Bashkuara për shkatërrim të spitaleve.

Damasku, vazhdimisht, ndalon gazetarët e huaj dhe vëzhguesit e pavarur, të cilët mund të verifikojnë ose hedhin poshtë pretendimet e regjimit.

Kanë qenë punëtorët e grupit ndërkombëtar të ndihmës Mjekët pa Kufij që kanë zbuluar se avionët rusë kanë sulmuar 14 spitale që nga fillimi i vitit 2016 në provincat veriperëndimore Idlib dhe Alepo.

Ajo çfarë nuk mund të verifikojnë Mjekët pa Kufij është nëse ata avionë janë drejtuar nga pilotë rusë apo sirianë.

Balanche thotë se kjo nuk është e rëndësishme sepse Rusia është duke koordinuar fushatën e saj ushtarake në ato zona së bashku me forcat e Assadit.

“Rusia është duke mbështetur strategjinë e regjimit të Assadit për spastrim etnik në Siri, sepse Rusia ndodhet atje për shkak të strategjisë së saj globale”, thotë Balanche.

Ekspertë të tjerë perëndimorë nuk janë të sigurt nëse Rusia është duke përkeqësuar qëllimisht krizën me refugjatë në Siri.

Mark Galeotti, profesor i çështjeve globale në Universitetin e Nju Jorkut, thotë se “Moska do të përfitojë nga kjo katastrofë humanitare”, por ai thotë se “nuk sheh asnjë provë se kjo është një strategji e paramenduar”.

Më shumë se dhjetë milionë njerëz, rreth gjysma e popullsisë së paraluftës në Siri, janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre – ose brenda Sirisë ose jashtë vendit – prejse ka nisur konflikti në vitin 2011.

Shumica që kanë lënë Sirinë janë arabë sunitë, që druajnë nga persekutimi, sepse ata vijnë nga fiset që kundërshtojnë regjimin e Assadit. Miliona kanë mbetur në Turqi ose në shtetet pranë, me shpresën se regjimi i Assadit mund të bie dhe ata mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Në fakt, ka pasur disa të kthyer në provincën Idlib, në pranverën e vitit 2015, të cilët janë inkurajuar nga fitoret e opozitës atje.

Por, pasi Rusia ka nisur bombardimet masive në muajin shtator, në mbështetje të Assadit, këto fitore janë përmbysur dhe rrjedha e refugjatëve sirianë është përshpejtuar.

Qindra-mijëra njerëz që kanë ikur nga Siria, duke mos pasur shpresa për kthim, ia kanë mësyrë Evropës, sidomos Gjermanisë.

Balanche mendon se qëllim i Assadit është të dëbojë miliona njerëz që kundërshtojnë regjimin e tij, jo vetëm për të fituar luftën, por për të krijuar një situatë më të favorshme pas luftës për pakicat që e mbështesin atë.

Në të njëjtën kohë, Balanche thotë se Assad duhet të shpërblejë fiste sunite besnike, duke iu shpërndarë toka dhe shtëpi, të konfiskuara nga refugjatët që kanë ikur. Kjo do t’i bëjë sunitët besnikë edhe më borxhlinj ndaj regjimit të Assadit, duke i detyruar që të qërojnë hesapet me ata që mund të kthehen dhe të kërkojnë shtëpitë e tyre.

Balanche thotë se kurdët sirianë në Partinë e Unionit Demokratik po ashtu përdorin strategji të spastrimit etnik. Ai thotë se qëllim i tyre është të krijojnë një territor të dominuar me kurdë, përgjatë kufirit jugor me Turqinë.

Sipas tij, Rusia është duke ndihmuar kurdët sirianë sepse “ajo e di se lëvizja nacionaliste kurde do të rishkruajë kufijtë e Lindjes së Mesme dhe do të dobësojë Turqinë”. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>