Selimi ka thënë se një gjë të tillë mund ta ketë bërë vetë qeveria, me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga protesta që po bëhet në Sheshin e Prishtinës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është distancuar nga djegia e veturave të pjesëtarëve të familjeve të dy prej anëtarëve të kabinetit qeveritar – vetura e gruas së Ministrit Memli Krasniqi dhe vetura e gruas së zëvendësministrit Bajram Gecaj.
Selimi ka thënë se një gjë të tillë mund ta ketë bërë vetë qeveria, me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga protesta që po bëhet në Sheshin e Prishtinës.
Në një intervistë për Info Magazine, Selimi tha se shumë shpejt qeveria do të bjerë, për shkak se sipas tij, ajo më s’ka as legjitimitet e as legalitet.
“Ky vendim është marrë atëherë kur është marrë vendimi për koalicion. Një pjesë e vendimit është marrë edhe në Rashkë sepse “Lista Srbska”, do t’ua bëjë kuorumin për zgjedhjen e presidentit jo legjitim dhe jolegal”.
“Ne jemi këtu që ta kthejmë mbrapsht qeverinë e Rashkës. Ne po shkojmë drejt pranverës dhe se kemi problem të rrimë jashtë. Tash do të duhej t’ia numëronim ditët qeverisë dhe jo protestës tonë”.
“Ky koalicion tashmë e ka humbur edhe legjitimitetin e edhe legalitetin, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e kësaj qeverie duhet të konsiderohen jo legjitime dhe jolegale”.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk qëndron prapa djegies së veturave të grave të ministrit e zëvendësministrit. Ata mund të jenë duke i djegur vetë veturat për të tërhequr vëmendjen nga protesta. Ata po tentojnë ta zhvendosin vëmendjen prej këtu, diku tjetër”, është shprehur Selimi.