Gazi lotsjellës ndërpreu seancën e Parlamentit të Kosovës, i cili u mblodh të premten rreth mesditës për të zgjedhur presidentin e ri, me gjithë kundërshtimin e partive opozitare, të cilat që nga e marta janë vendosur në sheshin përballë qeverisë dhe parlamentit për të kundërshtuar këtë zgjedhje për dhe të kërkuar rrëzimin e qeverisë.
Forca të mëdha të policisë janë shpërndarë përreth qeverisë e parlamentit, ndërsa opozita është mbledhur në protestë.
Posti i presidentit i takon Partisë Demokratike të Kosovës, sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kandidatë për president janë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Rafet Rama, po ashtu nga kjo parti.
Deputetët e opozitës njëri pas tjetrit diskutuan kundër zgjedhjes së zoti Thaçi në postin e presidentit duke e akuzuar atë dhe kryeministrin aktual, Isa Mustafa, për veprime të dëmshme kundër Kosovës. Në debatet e tyre ata vunë theksin tek marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Deputetët e opozitës shfaqën dyshimin se kandidati për president Hashim Thaçi, mund të ketë bërë lëshime të reja përballë Listës serbe në shkëmbim të votës së tyre në favor të zgjedhjes së tij.
Zgjedhja e presidentit sipas kushtetutës kërkon të paktën dy kandidatë dhe për të mund të konkurrojë çdo qytetar i Kosovës i moshës mbi 35 vjeç dhe që siguron nënshkrimet e 30 deputetëve. Një deputet mund të nënshkruaje vetëm për një kandidat. Kushtetuta parasheh tri mundësi votimi të njëpasnjëshme. Në dy të parat fituesit i duhen 80 vota përkatësisht dy të tretat e votave të 120 deputetëve. Në raundin e tretë ai mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë, përkatësisht me 61 vota. Por në të tri rastet, 80 vota duhet të jenë në kutitë e votimit, meqë votimi është i fshehtë.
Përveç partive opozitare edhe disa deputetë të partive në pushtet e kundërshtojnë kandidaturën e zotit Thaçi për president dhe kanë paralajmëruar bojkotimin e seancës për të pamundësuar kuorumin e kërkuar për zgjedhjen e presidentit.
Lidhja Demokratike e Kosovës, nëpërmjet një komunikate, tha të enjten se pret që të gjithë deputetët e kësaj partie të veprojnë në përputhje me marrëveshjen politike të përkrahur nga strukturat e LDK-së, në mënyrë që t’i shërbejnë siç thuhet, funksionalizmit të plotë të institucioneve të Kosovës.
Zgjedhja e presidentit të ri që sipas Kushtetutës duhet të ndodhë deri më 7 mars, përkon me krizën më të thellë politike që ka përjetuar Kosova që nga shpallja e pavarësisë së saj. Opozita u hodh në protesta në parlament dhe jashtë tij për të kundërshtuar marrëveshjet e arritura para një gjysmë viti për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Por, krahas këtyre dy çështjeve, partitë opozitare akuzojnë partitë në pushtet edhe për gjendjen e rëndë ekonomike në vend, korrupsionin dhe dështimet në politikën e jashtme.
Qeveria kërkon nga opozita që shqetësimet e saj të debatohen në institucione, ndërsa akuzon atë për përpjekje të marrjes së pushtetit me dhunë. (voa)