Kriza e refugjatëve: Maqedonia mbrohet, Greqia dëshpërohet

refugjatetGjendje e tensionuar në kufirin greko-maqedonas. Pas shkallëzimit të situatës të hënën, Greqia përgatitet për një grumbullim masiv refugjatësh në ditët e ardhshme, deri në 100.000 vetë. Steinmeier për zgjidhje europiane.

E hëna (29.02) ishte një ditë e trishtë për Europën që ende nuk po gjen një zgjidhje të përbashkët në krizën e refugjatëve. Qindra refugjatë u përpoqën të hënën në Idomeni të thyenin barrierat në kufirin greko-maqedonas. Policia përdori gazin lotsjellës, situata u shkallëzua, refugjatë të lënduar lehtë, fëmijë që qanin, zemërim, thirrje “Hapni kufijtë”. Nga ana tjetër e kufirit, policia maqedonase shtoi forcat. Përpjekja e refugjatëve për të prishur gardhin me gjemba që ndan Greqinë me Maqedoninë këtë herë dështoi. Gjendja të martën (01.03) paraqitet e qetë.

Presidenti maqedonas, Gjorgji Ivanov e mbrojti veprimin e forcave maqedonase të sigurisë. “Ne kemi marrë vendimet tona. Në kohë krize çdo vend duhet të marrë vendimet e tij”, është shprehur Ivanov për revistën gjermane Spiegel Online (29.02). Sipas Ivanov po qe se vendi i tij do të kishte pritur për urdhrat e BE-së, “Maqedonia do të ishte përmbytur me refugjatë”. Presidenti maqedonas i lidh vendimet e vendit të tij me bashkëpunimin në rajon. “Gjithmonë nëse një vend më në veri i mbyll kufijtë, atëherë edhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë.”

Steinmeier: Duhet zgjidhje europiane për refugjatët

Pamjet nga kufiri greko-maqedonas kanë sjellë edhe reagime në Gjermani. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank- Walter Steinmeier është shprehur se “pamjet janë prova për atë se vërtet bëhen përpjekje për veprime të veçuara kombëtare, por ato nuk të çojnë tek zgjidhja. Tani duhet vepruar me shumë intensitet për të gjetur zgjidhje të përbashkëta europiane.” Edhe kryeministri grek, Aleksis Tsipras është shprehur se Athina do të mbështesë në samitin e 7 marsit BE-Turqi në Bruksel vetëm një zgjidhje europiane dhe një shpërndarje të drejtë të refugjatëve brenda BE-së.

Maqedonia praktikisht e ka mbyllur kufirin, ky vend lejon vetëm pak qindra refugjatë në ditë të kalojnë kufirin, vetëm refugjatë sirianë dhe irakianë. Edhe vendet e tjera ballkanike përgjatë itinerarit kanë vendosur kontigjente ditore. Më shumë se 580 njerëz në ditë nuk lejon as Serbia, Kroacia e Sllovenia. Kjo bën që të rritet bllokada në Greqi, ku mijëra vetë presin të kalojnë kufirin për t’u ngjitur në veri. “7000 vetë para meje presin Më duhet të pres, kjo është një jetë e tmerrshme”, thotë një refugjat irakian.”

100.000 refugjatë në Greqi në ditët e ardhshme

Ndërkohë mediat greke duke u bazuar në njoftimet e rojes bregdetare greke, bëjnë të ditur të martën (01.03) se në portin grek të Pireut priten sërish të vijnë 1000 refugjatë, ndërkohë që në kufirin greko-maqedonas presin më shumë se 8.000 vetë. Ushtria greke po punon me intensitet të lartë për ngritjen e kampeve të reja të pranimit të refugjatëve.Nëse Austria e arrin kufirin maksimal që ka vendosur atëherë kjo nënkupton mbyllje të itinerarit ballkanik dhe grumbullim masiv të refugjatëve në Greqi, prandaj ushtria po ngre 7 kampe të rinj për 20.000 vetë.

Athina ndërkohë ka kërkuar 470 milionë euro ndihmë tek Bashkimi Europian për refugjatët. Qeveria greke llogarit me atë që mbyllja e kufirit me Maqedoninë do të bëjë që në ditët e ardhshme të rritet deri në 100.000 numri i refugjatëve në Greqi. Për të përballuar këtë sfidë të re, duhen rreth 8.200 policë dhe punonjës civilë grekë që të regjistrojnë dhe ofrojnë kujdesin e parë për refugjatët. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>