Byroja, miratimi me Reformën në Drejtësi

Sipas burimeve të Zërit të Amerikës, struktura e re e hetimit pritet të jetë në varësi të Prokurorisë speciale antikorrupsion.

byrojaNë Shqipëri, burime të parlamentit i thanë Zërit të Amerikës së Byroja Kombëtare e Hetimit do të shqyrtohet nga Komisioni i Reformës në Drejtësi së bashku me paketën e ndryshimeve kushtetuese. Ashtu sic ishte paralajmëruar disa javë më parë nga Zëri i Amerikës, Byroja pritet të jetë në varësi të Prokurorisë speciale antikorrupsion, në rolin e një policie gjyqësore. Për krijimin e saj në fillim të shkurtit pati një debat të zjarrtë, të nxitur nga opozita sipas së cilës, shumica po zvarriste aprovimin e kësaj strukture, pavarësisht së ekzistonte një projekt i hartuar me asistencën amerikane, e për të cilën palët kishin rënë dakort.

Fillimisht kryeministri Edi Rama, deklaroi në parlament më 4 shkurt se projekti do i kalonte Komisionit të Reformës për të parë nëse duhej pritur apo jo paketa e ndryshimeve kushtetuese. Por 6 ditë më vonë, papritur ai miratoi projektin në qeveri, një lëvizje që duket se ishte më tepër një përgjigje ndaj opozitës. Kjo e fundit e kundërshtoi duke këmbëngulur më pas se do të jepte mbështetjen e saj vetëm nëse do të ishte në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias.Në të vërtetë, Komisioni i Venecias nuk është marrë fare me këtë strukturë, por vetëm me Prokurorinë special antikorrupsion.

Tanimë, Komisioni i Reformës, do të duhet të rishikojë projektin e Qeverisë, për të përshtatur varësinë e Byrosë, direkt nga Prokuroria special antikorrupsion. Në të njejtën kohë, duhet që të ndërhyhet edhe në Kodin e Procedurës penale, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzoi variantin e parë të Byrosë, kërkon që kjo strukturë të parashikohet dhe në këtë Kod, i cili që prej afër dy vjetësh i është nënshtruar një rishikimi nga ana e ministrisë së Drejtësisë, e cila ende nuk e ka përmbyllur punën e saj. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>