Shqipëria është në pritje të një vendimi të përgjithshëm në nivel evropian për përballimin e krizës, por në asnjë rast nuk ka ndërmend të hapë kufijtë për emigrantët.
Kështu deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, në një intervistë për “AFP”, ku theksoi se “tani për tani, situata është e qetë”. Ministri informoi se, Shqipëria kërkon ndihmën e Italisë për kontrollin kufitar, në mënyrë që të parandalojë vërshimin drejt saj të emigrantëve të dëshpëruar për të arritur Evropën Veriore.
“Shqipëria ka kërkuar ndihmën e Italisë për të forcuar kontrollet e saj kufitare dhe për t’u përballur me problemet e ndryshme të sigurisë që do të shfaqeshin në rast vërshimi të emigrantëve drejt kufijve shqiptarë. Shqipëria nuk mund të përballet e vetme me një valë emigrantësh”, tha ai.
Ministri i Brendshëm u shpreh se Shqipëria ka pasur relativisht pak emigrantë që kanë kaluar kufijtë e saj në rrugëtimin nga Greqia në Gjermani dhe Suedi. Por ajo i druhet një fluksi pasi Maqedonia ua mbylli kufirin emigrantëve që vijnë nga Greqia (pikënisja e rrugëtimit Ballkanik).
Ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano, do të vizitojë kryeqytetin shqiptar javën e ardhshme, për të diskutuar një reagim të përbashkët në rast të një fluksi masiv të emigrantëve. Shqipëria shpreson për mbështetje teknike dhe personeli në kuadër të ndihmës policore për të kontrolluar, regjistruar e verifikuar dokumentet e emigrantëve në hyrje. Edhe Komisioneri Evropian i Migrimit, Dimitris Avramopoulos, të premten pritet për bisedime në Tiranë.
“Policia ka rritur kontrollet dhe për momentin nuk ka pasur ndonjë përpjekje nga emigrantët që të kalojnë kufirin shqiptar”, tha ministri.
Më shumë se një milion emigrantë dhe refugjatë kanë mbërritur në Evropë që nga viti i kaluar, duke e zhytur kontinentin në krizën më të thellë të emigracionit që prej Luftës së Dytë Botërore.
/Shekulli Online/