Turqi-BE diskutojnë marrëveshjen

Ahmet DavutogluKryeministri turk Ahmet Davutoglu thotë se “vala e emigrantëve” që kërkojnë strehim në Turqi dhe në Bashkimin Evropian nuk është çështje për bisedime, por çështje e vlerave humanitare.

Ai i bëri këto komente sot para se të ulej për bisedime me udhëheqësit e Bashkimit Evropian në Bruksel për të përfunduar një marrëveshje mbi transferimin e dhjetëra mijëra emigrantëve nga BE-ja në Turqi. Në marrëveshjen, e cila është kritikuar nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut, BE-ja pritet t’i premtojë Turqisë udhëtimin pa viza në zonën Shengen për qytetarët e saj dhe një rrugë të përshpejtuar të anëtarësimit në BE. Qiproja ka ngritur kundërshtime për shkak të refuzimit të Ankarasë për të njohur qeverinë e saj të mbështetur nga Greqia, por njoftimet bëjnë të ditur se udhëheqësit qipriotë mund të tërhiqen në këtë pikë.

Të dyja palët bien dakord se është e nevojshme një marrëveshje për të ndalur veprimtarinë e kontrabandistëve ndërkombëtarë, të cilët u marrin emigrantëve shuma të mëdha për kalimin e tyre, shpesh në kushte të pasigurta, në Turqi, Greqi apo Itali.

Projekt-marrëveshja parasheh që të gjithë emigrantët e rinj që shkojnë nga Turqia në Greqi do të kthehen në Turqi në atë që marrëveshja e quan një “masë të përkohshme dhe të jashtëzakonshme” për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe për të rivendosur rendin.

Zyrtarët turq pritet të jenë të pranishëm në Greqi për të lehtësuar transferimin e këtyre emigrantëve përsëri në Turqi. Për çdo sirian të kthyer në Turqi nga Greqia, një tjetër sirian që ka kërkuar ligjërisht azil në Turqi do të zhvendoset në Bashkimin Evropian.

Përparësi u jepet emigrantëve që nuk kanë hyrë ose janë  përpjekur të hyjnë në BE ilegalisht më parë. Turqia do të marrë gjithashtu masa për të parandaluar ndonjë rrugë të re të paligjshme nga Turqia në BE, duke përdorur ndihmë nga shtetet fqinje dhe nga BE-ja. Bashkimi Evropian do të shpejtojë livrimin e 3.4 milion dollarëve ndihmë ndaj Turqisë për të ndihmuar në strehimin e emigrantëve brenda kufijve të saj. BE-ja thotë se do të japë më shumë fonde nëse është e nevojshme, deri në një tavan prej 3,4 miliardë dollarësh shtesë, pasi fondet ekzistuese të jenë përdorur. Sipas projekt-marrëveshjes, BE-ja do të punojë me Turqinë në çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet humanitare brenda Sirisë, veçanërisht në zonat pranë kufirit turk.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se dëbimi masiv i refugjatëve është kundër të drejtës ndërkombëtare. Presidentja lituaneze Dalia Grybauskaite, e cila e dha e fundit miratimin, tha se marrëveshja “është në kufijtë e së drejtës ndërkombëtare.” Turqia ka një të kaluar jo të qëndrueshme përsa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, dhe disa grupe të këtyre të drejtave e kritikojnë planin në fjalë, që ato thonë se do t’i përdorë njerëzit që kërkojnë strehim nga lufta, varfëria dhe terrorizmi si pengje politike dhe si mallra.

Por Evropa po lufton prej muajsh të tërë me krizën e refugjatëve, më e rënda në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërkohë që mijëra emigrantë janë mbytur në Mesdhe, pasi paguajnë kontrabandistët për të shkuar në Greqi apo Itali. Ndërsa BE-ja dhe udhëheqësit turq janë duke diskutuar mbi planin, gati 14 mijë emigrantë në një kamp të Greqisë presin të dëgjojnë për fatin e tyre. Ata janë të bllokuar në Greqi që prej javës së kaluar, kur vendet e Ballkanit perëndimor vendosën të mbyllin kufijtë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>