Skemat e përfitimeve me barnat, nuk janë diçka që kanë prekur vetëm Shqipërinë. Një informator anonim ka akuzuar firmën zvicerane të barnave, Novartis, se ka paguar ryshfet në Turqi për të siguruar avantazhe biznesi me vlerë rreth 85 milion dollarë. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, e cila e ka parë emailin ku ngrihen akuzat, firma Novartis ka konfirmuar se është duke e hetuar çështjen. Dega turke e firmës Novartis akuzohet mes të tjerash se përmes rryshfeteve ka shtuar ilaçe në formularët e barnave të miratuar për t’u dhënë me recetë në spitalet qeveritare.
Dërguesi anonim i emailit drejtuar ekzekutivëve të firmës Novartis tha se kompania i kishte paguar firmës konsulente turke Alp Aydin 290 mijë dollarë plus shpenzimeve të tjera gjatë vitit 2013 dhe 2014. Më vonë, agjencia turke e Sigurimeve Shoqërore nisi një hetim rreth çështjes.
Novartis, e cila thotë se është e angazhuar për zbatimin e standardeve më të larta të etikës së biznesit, ka konfirmuar se firma Aydin kishte punuar për të si konsulente, por tani ky bashkëpunim është ndërprerë. Gjigandi farmaceutik tha gjithashtu se po hetonte rreth akuzave se firma Aydin u kishte dhënë para zyrtarëve turq të shëndetësisë.
“Akuzat janë shumë serioze. Ato duken shumë të detajuara në emailin që i është dërguar ekzekutivit të firmës dhe ata duhet të japin një përgjigje për të kënaqur komunitetin ndërkombëtar, përfshirë autoritetet amerikane,” thotë James Bevan, i kompanisë CCLA të investimeve për bamirësitë.
Vështirësitë e firmës Novartis në Turqi nxjerrin në pah problemet me të cilat përballen kompanitë shëndetësore, ndërkohë që autoritetet e anti-korrupsionit në mbarë botën po hetojnë mbi praktikat e kësaj industrie.
Javën e kaluar Novartis ra dakord të paguajë më shumë se 25 milion dollarë për të zgjidhur një çështje gjyqësore të ngritur nga Komisioni amerikan për mbikqyrjen e tregut të aksioneve, SEC. Rasti kishte lidhje me ryshfete të dhëna në Kinë.
Në emailin e dërguar nga personi anonim, thuhej se Novartis kishte fituar 20 milionë dollarë nga fakti që firma konsulente Aydin kishte mundur të fuste në formularët e spitaleve publikë barna të reja për sklerozën e shumëfishtë, për sëmundjet kronike të mushkërive dhe artritin.
Në email thuhej gjithashtu se Novartis ka përfituar edhe nga vendimet për çmimet e barnave që favorizonin këtë kompani si dhe nga një leje e veçantë për importimin e një ilaçi me certifikatë të skaduar prodhimi.
Novarti, sipas këtij emaili, kishte përfituar sidomos nga fakti që zyrtarët turq lejuan firmën të riemërtonte dy barna, duke i hequr ato nga skedat ndërkombëtare të krahasimit me barnat e të njëjtit lloj.
Sipas emailit, veprime të tilla përbëjnë shkelje të ligjit amerikan për Praktikat e Huaja Korruptive. Ky ligj ndalon firmat amerikane apo ato të huaja si Norvartis, aksionet e të cilave tregtohen në SHBA, që t’u japin rryshfete zyrtarëve të qeverive të huaja. (voa)