Ekspertët: Nuk kishte shkelje në shënimin e kufirit Kosovë – Mali i Zi

ekspertetKomisioni i ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin e  procesit të shënimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, vlerëson se nuk ka pasur shkelje gjatë procesit të shënimit të këtij kufiri dhe ai është në pajtim me standardet ndërkombëtare.

Këto vlerësime janë bërë në raportin që ky komision i dorëzoi të mërkurën, presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga.

Duke paraqitur raportin presidentja tha se “nga aspekti ligjor dhe teknik ekspertët nuk kanë gjetur shkelje në procesin e demarkacionit”.

Komisioni ka vlerësuar se procesi i shënimit të kufirit është dashur të jetë më transparent përfshirë edhe familjarizimin e publikut me hartat, të dhënat dhe gjetjet gjeodezike.

Dy javë më parë presidentja Jahjaga themeloi një komision ekspertësh nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Gjermania, për vlerësimin e procesit të shënimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Partitë opozitare në Kosovë reaguan duke e vlerësuar të papranueshëm raportin.

Opozita e Bashkuar vlerëson se të gjeturat e këtij ekipi ndërkombëtarë, për vlerësimin e punës së Komisionit Shtetëror të Kosovës për demarkacionin e kufirit me Malin e zi, janë vlerësime që janë bërë për nevojat e Presidentes dhe si të tilla nuk mund të kenë reflektim në domosdoshmërinë e korrigjimit të kufirit me Malin e zi“, thuhet në një reagim të përbashkët të partive opozitare.

Ato theksojnë se kufijtë e Kosovës mund t’i caktojë vetëm një komision i besueshëm shtetëror i Kosovës, i cili mund të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, që do të shfrytëzojë dokumente të vlefshme, metodologji të përshtatshme të punës dhe të dhëna shkencore, por kurrsesi një grup prej tre personave prej të cilëve vetëm njëri është ekspert i fushës kurse dy të tjerët janë diplomatë.

Kufiri i Kosovës me Malin e zi është në Çakorr dhe në Kullë të Zhlepit, dhe pavarësisht vlerësimit të tre ekspertëve ndërkombëtar, demarkacioni i kufirit me Malin e zi, nuk është i pranueshëm për opozitën dhe qytetarët dhe do të kundërshtohet pa kompromis. Mbi 205 mijë qytetarë kanë nënshkruar kundër këtij demarkacioni dhe vullneti i tyre nuk është marrë parasysh as nga presidentja e as nga ky ekip. Argumentet e paraqitura nga ky ekip ndërkombëtarë se demarkacioni me Malin e zi është një proces legal e ku nuk ka pasur shpërputhje ndërmjet dy komisioneve shtetërore, nuk qëndrojnë, sepse edhe në një proces legal, e ku nuk ka as shpërputhje, mund të bëhen zgjidhje jolegale, siç ka ndodhur me rastin e Kosovës me Malin e Zi. Kosova nuk ka territore për të falur dhe tërësinë e saj territoriale do ta mbrojmë pavarësisht vendimeve të tilla”, thuhet në reagimin e opozitës.

Çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi dhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe kanë bërë që partitë opozitare të bllokojnë punën e parlamentit dhe të pengojnë funksionimin e qeverisë, duke hedhur gaz lotsjellës në sallën e parlamentit.

Qeveria kërkon nga opozita që shqetësimet e saj të debatohen në institucione, ndërsa partitë opozitare kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>