Donald Trump, kandidati kryesor republikan për President bëri të mërkurën thirrje për ndryshime rrënjësore në politikën e jashtme amerikane duke vendosur interesat amerikane mbi çdo gjë, me pretendimin se aktualisht kjo politikë “është një katastrofë e plotë dhe e përgjithshme”.
Në një fjalim prej 38 minutash në një hotel në Uashington, zoti Trump, sulmoi politikën e jashtme të Presidentit Barack Obama dhe vendimet e ish-Sekretares së tij të Shtetit Hillary Clinton, kandidatja kryesore demokrate për president me të cilën ai ka gjasa të përballet nëse bëhet kandidati republikan për zgjedhjet e nëntorit.
Zoti Trump akuzoi Presidentin Obama dhe zonjën Clinton se kanë udhëhequr me një politikë të jashtme “të papjekur, pa orientim dhe pa objektiv”. Ai tha se mungon vizioni, synimi, drejtimi dhe strategjia.
Por ai fajësoi pa e përmendur me emër edhe ish- PresidentinGeorge W. Bush për politika që sollën si rezultat luftën e gjatë në Irak, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Shteti Islamik “do të eliminohet”
Zoti Trump, një biznesmen miliarder që po i afrohet kandidaturës republikane por nuk e ka siguruar atë, tha se gabimet amerikene në Lindjen e Mesme “filluan me idenë e rrezikshme se mund t’i kthejmë në demokraci perëndimore vendet që nuk kanë as përvojë as interes të bëhen demokraci perëndimore”.
Ai premtoi se nëse zgjidhet President dhe zëvendëson zotin Obama, ai do t’i shkatërrojë kryengritësit e Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme.
“ISIS do të eliminohet. ISIS do të eliminohet me shpejstësi”, tha ai.
Gjatë fushatës, zoti Trump ka përmendur disa vepime konkrete që ai do të ndërmarrë, duke thënë se do të ndërtojë një mur me Meksikën, për të ndalyr valën e imigrantëve të paligjshëm, se do të deportojë 11 milionë imigrantë të paligjshëm dhe se do të ndalojë përkohësisht hyrjen e myslimanëve në vend. Po ai nuk përmendi asgjë nga këto sot.
Ai tha në fjalim se “alleatët nuk po paguajnë pjesën e tyre”, duke përmendur se vetëm katër nga 28 anëtarët e NATO-s paguajnë 2 për qind të eknomisë së tyre për programe ushtarake dhe të mbrojtjes. Ai tha se nësa ata refuzojnë, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të gatshme që t’i lejojnë të paguajnë për mbrojtjen e tyre, në vend që t’i lejojë të mbrohen sipas paktit të NATO-s. (voa)