Një delegacion i madh me përfaqësues nga institucionet e BE-së, Komisioni dhe Parlamenti Evropian, qëndroi në Kosovë për të marrë pjesë në konferencën e nivelit të lartë për MSA-në, ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) është moment historik për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Tani është koha që Kosova dhe BE-ja t’i intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta, sepse kjo marrëveshje ofron mundësi të shkëlqyeshme të zhvillimit ekonomik.
Kështu tha në Prishtinë, Komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn. Ai së bashku me një delegacion të nivelit të lartë të BE-së dhe Parlamentit Evropian të hënën dhe të martën (16.05 -17.05)qendruan në Kosovë, ku morën pjesë në konferencën e nivelit të lartë për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes BE-së dhe Kosovës, e para e këtij lloji që nga hyrja në fuqi e MSA-së për Kosovën më 01.04. Në këtë konferencë u diskutua për “stimulimin e ekonomisë, zhvillimit dhe krijimit të vendeve të punës në Kosovë”.
“MSA është një kontratë që lidh Kosovën me BE-në. Është shumë e rëndësishme që e kemi ketë marrëveshje pasi ajo krijon zhvillim ekonomik. Ne po lëvizim drejt zonave të lira tregtare. Brenda 5 viteve pas hyrjes në fuqi të MSA-së Shqipëri – Maqedoni, volumi tregtar është rritur dhe janë krijuar mijëra vende pune. MSA krijon një klimë biznesi për rritjen e investimeve. MSA është një kornizë në marrëdhëniet tona. Është koha t’i intensifikojmë përpjekjet tona të përbashkëta, sepse kjo ofron mundësi të shkëlqyeshme të zhvillimit ekonomik”, tha Johanes Hahn.
Komisioneri evropian tha se “institucionet e Kosovës në veçanti Qeveria e Kosovës duhet të punojë në forcimin e ligjit”. Sipas tij: “MSA nuk do të zgjidhë problemet e brendshme politike të shtetit”. Por sipas komisionerit Johannes Hahn, Kosova duhet të bëjë shumë reforma dhe të punojë shumë në disa çështje thelbësore. “Përforcimi i sundimit të ligjit dhe institucionet e fuqishme janë kyçe për zbatimin e MSA-së, një gjyqësor i mirë dhe përkushtimi ndaj luftimit të krimit. Do të thellojmë marrëdhëniet, por ndryshimi nuk ndodh i vetëm. Implementimi i saj ka të bëjë jo vetëm me qeverinë por dhe me shoqërinë civile pozitën e opozitën. Marrëveshja nuk mund të rregullojë sfidat e brendshme politike të Kosovës. Kosova ka demonstruar aftësi në rezultatet e reformave. Ajo për çfarë kemi nevojë tani për Kosovën është fokusimi që të kemi progres. MSA-ja do të marrë kohë dhe sfida e ardhme është zbatimi i saj. Mund të llogarisni në asistencën tonë”, tha Johannes Hahn.
Sipas komisionerit Hahn, institucionet e fuqishme dhe efikase, janë shumë të rëndësishme për implementimin e suksesshëm të MSA-së. “Ndërkohë, Kosova ka kohë deri në 10 vjet, që të hapë tregun ndaj Bashkimit Evropian, por më duhet të theksoj se 10 vjet është kornizë shumë e gjatë kohore, megjithatë nuk duhet të harroni të filloni menjëherë me përshtatjen ndaj sfidave”, tha Johanes Hahn.
Zyrtari i lartë evropian Johannes Hahn dhe europarlamentarët takuan udhëheqësit më të lartë të Kosovës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe rekomandimit për liberalizim të vizave, perspektiva evropiane për Kosovën nuk është vetëm një deklaratë, por një kontratë. “Marrëveshja për Stabilizim-Asocim është një marrëveshje për të ardhmen e shtetit tonë. Nën këtë mesazh sot bashkohemi të gjithë pa asnjë dallim. Ajo paraqet një mundësi për zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës, sepse zgjeron marrëdhëniet tregtare ndërmjet BE-së dhe Kosovës me krijimin gradual të një zone të tregtisë së lirë”, tha presidenti Hashim Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nga ana e tij, MSA-në për Kosovën e ka cilësuar si një hap vendimtar për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, Marrëveshja e Stabilizim Asocimit ka konfirmuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës për integrimin evropian, ndërsa,në anën tjetër është konfirmuar vullneti i Bashkimit Evropian për pranimin e Kosovës në familjen evropiane. “Kosova do të ketë qasje të lehtësuar në tregjet e Bashkimit Evropian, asistencë financiare dhe teknike që do të ndihmojë dhe do të shtyjë performancën e funksionimit të institucioneve demokratike të Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Marrëveshja për Stabilizim Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u nënshkrua më 27 tetor të vitit 2015 dhe hyri në fuqi më 1 prill të këtij viti.
Delegacioni i madh me përfaqësues nga institucionet e BE-së, Komisioni dhe Parlamenti Evropian, që qëndruan dy ditë në Kosovë kryesohej nga Tonino Picula dhe Johannes Hahn. Ata shoqëroheshin edhe nga zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, europarlamentarët Dubravka Suica, Tanja Fajon, Jozo Rados, Georgios Kyrtsos dhe Julie Ward. (dw)