Gjykata vendosi arrest me burg për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i dyshuar për “fallsifikim i vulave, stampave dhe formularëve” me plotësimin e formularit të dekriminalizimit.
Këtë masë e kërkoi prokuroria e Tiranës, e cila gjeti se Rroshi nuk ka paraqitur në formularin “për Dekriminalizimin” të dhëna penale dhe personale, të cilat janë të detyrueshme për t’u shënuar.
Prokuroria nisi hetimin kryesisht dhe kërkoi verifikimin e formularit të Rroshit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas njoftimit të prokurorisë së përgjithshme, nga verifikimi i thelluar doli se Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke shënuar të dhëna të rreme në formularin e vetëdeklarimit.
Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zvicerian respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke shënuar sërish të dhëna të rreme në formular.
Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se u arrestua në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe u dëbua sërish, duke shënuar të dhëna të tjera të rreme në formularin e vetëdeklarimit.
Prokuroria shtoi se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës. (voa)