“Nuk është në interesin e Kosovës që t’i dëmtojë raportet me vendet fqinje”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Këto komente, Veseli i ka bërë duke iu referuar çështjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe veprimeve të opozitës, që nxitën dërgimin e një note proteste nga autoritetet e Podgoricës.
Kryekuvendari Kadri Veseli ka kritikuar përfaqësuesit e partitive politike opozitare, sidomos veprimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ishte një grup i deputetëve të Vetëvendosjes që gjatë javë se kaluar vendosi një tabelë me mbishkrimin “Republika e Kosovës – Mirë se vini”, dhe në ballë të saj edhe flamurin shqiptar, në vendin ku ky subjekt politik beson se ekziston kufiri mes dyja vendeve.
Këto veprime, sipas kryetari të Kuvendit, janë veprime për folklorizëm politik.
“Është mirë me i ndalë gjërat e tilla dhe të mos luhet me emocione të njerëzve. Janë veprime shumë fëmijërore”, tha Veseli.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se përfundimi i çështjes së demarkacionit do të jetë në interes të të dyja palëve, pasi asnjë centimetër nuk do të shkojë në dëm të Kosovës. Ai është shprehur optimist se çështja do të përmbyllet gjatë këtij sezoni të punës së Kuvendit.
“Mali i Zi është një ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Duhet t’i lëmë folklorizmat me raportet tona fqinjësore”, deklaroiVeseli.
Këto komente ai i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe shefave të grupeve parlamentare, ku është diskutuar agjenda dhe rendi i ditës së seancës së radhës, që pritet të mbahet të enjten.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca,theksoi se në këtë mbledhje të kryesisë nuk është diskutuar për Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Sipas tij, ajo marrëveshje duhet të rinegociohet.
“Këtu nuk kemi të bëjmë me koncepte fëmijërore. Këtu kemi të bëjmë me kërcënim serioz të sovranitetit shtetëror dhe me koncesione të cilat janë të pafalshme dhe të cilat janë bërë prej krerëve me të lartë të shtetit. Këto janë gabime me konsekuenca shumë të sakta penale. Mendoj se akti i faljes së territorit shtetëror përben aktin më serioz të tradhtisë shtetërore”, tha Konjufca.
Deputeti Konjufca ka ripërsëritur se nëse Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi procedohet siç është aktualisht në Kuvend për miratim, atëherë ajo do të kundërshtohet ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ne po na çuditë fakti se pse presidenti dhe kryeministri Mustafa janë insistues në një Demarkacion kaq të gabuar”, tha ai.
Sido që të jetë, mbetet të shihet se çfarë vendimi do të ndërmarrë ditëve në vijim qeveria e Kosovës. Ajo ende nuk e ka proceduar në Kuvend për shqyrtim dhe ratifikim marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacionin.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë së fundmi se çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi është një akt jo i lehtë, nganjëherë edhe i dhimbshëm.
“Duhet të kemi më shumë besim në institucionet tona, duhet të kemi besim në ata që na ndihmuan ta çlirojmë vendin, por duhet të kemi besim edhe në fqinjët, të cilët pa asnjë rezervë e përkrahën çlirimin dhe pavarësimin tonë”, ka thënë Mustafa.
Marrëveshjen mes Kosovës dhe Malit të Zi për kufizimin e vijës kufitare, është nënshkruar në Vjenë, në muajin gusht të vitit 2015. (REL)