Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri dhe Nënkryetarja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, përmes një konference për media shpallën datën e protestës në kundërshtim të ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Protesta do të mbahet me 1 Shtator, në ditën kur kjo marrëveshje do të sjellet në Kuvend për ratifikim.
Gjatë kësaj konference, Visar Ymeri theksoi se Marrëveshja për Demarkacionin është në kundërshtim me rezolutën parlamentare të 25 qershorit të vitit 2015, me vullnetin e banorëve të Rugovës e Dukagjinit, me integritetin territorial të Kosovës dhe me interesin kombëtar të shqiptarëve.
“Ajo marrëveshje ia heq Kosovës bjeshkët e majat, liqenet e lëndinat, burimet e lumenjve dhe pasuritë nëntokësore. Ndoshta ato nuk janë më të bukurat në botë, ndoshta nuk janë më të vlefshmet me para, por për neato bjeshkë e ai territor janë të paçmueshme. Nuk e këmbejmë territorin me asgjë. Nuk e shesim territorin për asgjë”, ka potencuar Ymeri në fjalën e tij.
Ai poashtu përmendi 205 mijë nënshkrimet e mbledhura kundër kësaj marrëveshjeje, protestat e organizuara gjatë janarit e shkurtit, si dhe faktet e argumentet e profesorëve, ekspertëve, gjeografëve, gjeodetëve e hartografëve.
“Ne sot po e shpallim organizimin tonë për protestë masive në datën 1 Shtator. Ata që duan të miratojnë demarkacionin , do t’i bartin pasojat e asaj që po bëjnë. Ne demarkacionin do ta ndalim me çdo kusht e çdo mjet demokratik”, tha ndër të tjera Visar Ymeri.
Kurse Nënkryetarja e VETËVENDOSJE!-s, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, deklaroi se janë tronditëse përgjimet e aferës ‘Pronto 2’, si dhe dëshmi që korrupsioni, nepotizmi e krimi nuk luftohen me këta njerëz.
“Ne ju ftojmë që së bashku t’i themi jo këtyre politikanëve”, tha Mulhaxha-Kollçaku, në thirrjen e saj për qytetarët që t’i bashkohen kësaj ptoteste.
Në fund u potencua se Lëvizja VETËVENDOSJE! pret që protesta e 1 Shtatorit të jetë masive, dhe se bashkë më qytetarët, do ta ndalë demarkacionin, si dhe ta heqin këtë klikë tradhëtarësh e të korruptuar nga pushteti. (LVV)