Natën e së martës (06.09) u gjëtën pjesë të avionit privat “Pajper Pa 34-200 T Seneka” me shenja kombëtare gjermane të rrëzuarme në afërsi të Katllanovës, në fshatin Kozhle, ku mund të shiheshin rrënojat e avionit.
Nga kontrolli i bërë në teren janë gjetur gjashtë kufomat e pasagjerëve, që kanë qenë në bord, pjesë të aeroplanit: krahu dhe njëra gomë, kutija elektronike, dy telefona celularë, bileta për udhëtim dhe një leje udhëtimi italiane. Menjëherë pas njoftimit është aktivizuar Reparti për Operacionet Speciale të Policisë, ku si rrjedhojë u mobiliziaun 50 punonjës policie me 10 automejte nga njësia për detyra speciale dhe 125 policë me 15 automjete nga njësia për mobilizim të shpejtë. Pas gjetjes së aeroplanit nga ana e zyrtarëve të policisë u bë sigurimi i vendit të ngjarjes, u njoftua Prokurori Publik, i cili shkoi në vendngjarje, u bë fotografimi fillestar, por për shkak kushteve të rënda për kryerjen e ekspertizës, është planifikuar që procesi të vazhdojë në orët e mëngjesit. Gjithnjë sipas informacioneve të policisë maqedonase gjatë mëngjesit të së mërkurës (07.09) ekipet janë drejtuar në vendin e ngjarjes, ku po bëhet shënimi i gjurmëve. Në vendngjarje ndodhen një numër i madh i forcave të policisë dhe ndihmës së shpejtë. Nga policia thonë se informacione më të detajuara rreth aksidentit do të jepen pas shqyrtimit të plotë të rrethanave. Rruga për në vendin ku u rrëzua avioni është pothuajse e pakalueshme, qasje kanë vetëm automjetet e terrenit. Autoritetet e Maqedonisë gjatë tërë natës kanë vazhduar hetimet në lokalitetin ku është rrëzuar avioni i vogël sportiv me gjashtë persona në bord. Detaje mbi identitetin e personave nuk jepen përveç konfirmimit të lajmit mbi rrëzimin e avionit. Por për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike operacioni i kërkimit po zhvillohet ngadalë. Hetuesit gjyqësor thuhet se kanë gjetur mbetje të trupave, të cilat gjatë natës janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Shkup. Prokuroria publike në Maqedoni, në një njoftim për media, ka bërë të ditur nisjen e hetimeve për zbardhjen e tragjedisë ajrore që ndodhi në afërsi të Shkupit.
“Pas informave të marra, Prokuroria Publike, në koordinim me institucionet kompetente ka ndërmarrë masa për përcaktimin e vendit të fatkeqësisë, sigurimin e lokalitetit dhe nisjen e hetimeve. Po grumbullohen informacione dhe fakte relevante për të përcaktuar shkaqet e fatkeqësisë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Publike të Maqedonisë.
Avioni u zhduk nga radarët e kontrollit të fluturimeve të aeroportit të Shkupit rreth orës 17:40 të ditës së martë (06.09.2016). Banorët e një lokaliteti rreth10 kilometra në jug të Shkupit kishin njoftuar qendrën e fluturimeve se kanë dëgjuar shpërthime të fuqishme dhe zjarr, duke pretenduar se bëhet fjalë për një avion të rrëzuar. Sipas të dhënave zyrtare, avioni i rrëzuar fluturonte nga Trevizo e Italisë dhe u zhduk nga radarët menjëherë pasi njoftoi drejtuesit e aeroportit, se do të ulej për t’u furnizuar me kerozinë. Destinacioni i fundit i avionit supozohet të ketë qenë Prishtina. (dw)