Fjalimi për tubimin e 10 shtatorit 2016Të nderuar aktiviste e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Të nderuar përkrahës, dashamirë e miq të Lëvizjes,
Zonja dhe Zotërinj,
1 shtatori ishte një ditë e rëndësishme mësimi. Jo për nxënësit e mirë të shkollave, sepse ata e filluan vitin shkollor më 5 shtator.
Por për nxënësit e dobët të regjimit, ata që e ndoqën orën e parë të mësimit politik më 1 shtator: e cila shkurt dhe qartë ua mësoi se nuk ka marrëveshje a vendim tradhëtie që mund të imponohet me dhunë, e aq më pak që pranohet nga populli. Se nuk mund ta luftojnë dot qytetarin e organizuar, të vendosur në të drejtën e tij.
Se sa më autoritar e i kriminalizuar të jetë regjimi aq më e madhe, më e fuqishme dhe më efikase duhet të jetë rezistenca.
Dhe ishte kjo rezistencë që ngadhënjeu më 1 shtator.
Kjo rezistencë që mbartej në nënshkrimin e peticionit të qytetarëve, në argumentimin shkencor të ekspertëve, në zërin e protestës së popullit, në gazin lotësjellës të deputetëve të opozitës, veçanërisht të VETËVENDOSJE!-s, në këmbëngulësinë dinjitoze të deputetëve mospajtues të koalicionit. Dhe nga këtu dua t’i uroj dhe falenderoj të gjithë, në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në emër tuajin.
Por të mos e harrojmë një gjë. Kjo rezistencë do të kishte qenë e pamundur pa punën e palodhshme, pa sakrificën vetëmohuese të aktivistit politik, pa ju.
Ju të gjithë këtu, dhe shumë të tjerë që nuk janë këtu jeni meritorët që ia shkaktuat këtë humbje regjimit, që ia pamundësuat këtij regjimi agresionin ndaj territorit të Republikës.
I kaluam një vit të plotë nën terrorin e regjimit. Na arrestuan, na dërguan në burg, na rrahën, na shajtën, na i thyen dyert e shtëpive e terrorizuan familjet, na i thyen dyert e zyres, na quajtën armiq e terrorist.
Sot këtu me ne nuk janë Atdheu, Frashëri, Petriti, Adea, Egzoni e Astriti, sepse po i mbajnë të burgosur e në arrest shtëpiak. Regjimi po i mban këta të arrestuar nën akuzën për terrorizëm, dhe atë pa asnjë provë të vetme. Këta po mbahen në burg vetëm e vetëm se janë aktivistë të Lëvizjes, të rëndësishëm dhe të palodhshëm.
Këtu nuk është as Glauku. Kryetari i grupit parlamentar sot mbahet i ngujuar në shtëpi nga regjimi.
Sot këtu nuk janë as Imeri e Leotrimi. Edhe ata në arrest shtëpiak.
Ky regjim i dëboi nga Kosova Dejonën, Boikenin e Arbërin, duke ua ndaluar atyre hyrjen në Kosovë. Ky regjim pra, që do ta spastrojë Kosovën nga shqiptarët.
Të gjithë këta sepse nuk pranuan t’i nënshtrohen këtij regjimi. Nuk pranuan ta lejojnë regjimin që ta shkatërrojë të përbashktën tonë Republikën, dhe ta tjetërsojë pronën e përbashkët tonën, territorin e kësaj republike. Dhe në këtë betejë të tyre, nuk u dorëzuan kurrë. Dhe e bënë që të dorëzohet regjimi.
Akuzat ndaj tyre, dhe mbajtja e tyre në burg, ka qëllim ndalimin e së vërtetës. Gjunjëzimi i regjimit e thotë zëshëm se këta kishin të drejtë. Rezistenca kishte të drejtë, dhe ishte e drejtë. Dhe është çdoherë e drejtë, sa herë që na cenohet vullneti, e përbashkëta, barazia e dinjiteti. Është e drejtë dhe e domosdoshme të revoltohemi dhe të rezistojmë kur padrejtësitë e krimi na e uzurpojnë Republikën.
Pra, 1 shtatori ishte mësim i mirë edhe për ne. Nga 1 shtatori e kemi kuptuar qartë se kur kemi të drejtë, jemi të vendosur, jemi të angazhuar, kemi gadishmëri për sakrificë, organizohemi, fitorja është e pashmangshme.
Dhe jo çfarëdo fitoreje, por fitore e vërtetë, përmbajtësore e popullore.
Por është fitore në një betejë, betejë shumë të rëndësishme e vendimtare, por megjithatë njëra prej tyre. Kjo betejë e gjatë e la Serbinë pa Zajdenicë, Malin e Zi pa 8200 hektarët që donte t’ia dhuronte regjimi, e treshen kriminale Veseli-Mustafa-Thaçi me maskë të çjerrur, lakuriq në krim e tradhëti, në korrupcion e zhvatje, shantazh e frikësim ndaj qytetarëve.
Tash për tash. Sepse përpjekja e rezistenca vazhdon.
Deri në çlirimin e plotë të shtetit nga klani mafioz. Deri në zhbërjen e plotë të strukturave paralele të krimit e ato të Serbisë. Kështu i lëshohet udhë ndërtimit të Republikës.
Klani pronto dhe përkrahësit e tij, bashkë me ndarjet e padrejtësitë ligjore të planit të Ahtisaarit e kanë shndërruar republikën e Kosovës në shtet kundër popullit. Është kundër popullit sepse është shtet i kapur, dhe është kundër popullit sepse juridikisht, edhe proceduralisht edhe përmbajtësisht, është kundër vullnetit politik të tij.
Ky vit rezistence ishte njëkohësisht vit beteje mes konjukturës së korruptuar politikisht e financiarisht që e kontrollon shtetin dhe qytetarëve vullnetplotë që duan ta çlirojnë Republikën.
Ta luftosh regjimin e kriminalizuar e të korruptuar nënkupton t’i luftosh vendimet e marrëveshjet e tij, të cilat janë qartazi kriminale e të korruptuara. Këto të dyja nuk ndahen.
Vendimet e regjimit të korruptuar nuk mund të jenë të mira për Republikën. Përkrahja për vendimet është përkrahje për qenien politikisht të korruptuar të regjimit.
Të shiturit të shesin. Dhe këta të shitur, këta kriminelë me sako të shtrenjta, kanë treguar që janë të gatshëm të shesin çdo gjë.
Asnjëherë sikur këtë vit nuk është shpërfaqur kaq vrazhdë dhe kaq banalisht kapja e shtetit, egërsia e regjimit. Por asnjëherë sikur këtë vit nuk ka pasur kaq shumë qytetarë të angazhuar, të vetëdijshëm e të vendosur për ta luftuar këtë regjim.
Dhe kështu duhet të vazhdojmë.
Kështu do të vazhdojmë. 1 shtatori e dëshmon që kundërshtimi deklarativ pa kundërshtimin aktiv është i kotë. Nuk mund të kundërshtosh me fjalë pa kundërshtuar me vepër. Përveç se hipokrizi, ky lloj kundërshtimi është edhe përkrahje për regjimin. Sepse regjimi nuk ka nevojë për përkrahjen e opozitës. Ai ka nevojë vetëm që opozita ta lë atë të qetë në punën tij.
Ne nuk do ta lëmë të qetë. Do ta pengojmë punën e tij, sepse puna e tij është ta pengojë frymëmarrjen e Republikës, ta ndalojë jetësimin e vullnetit politik të popullit, ta pamundësojë realizimin e interesave tona kolektive. Puna e tij është të na përçajë e sundojë.
Ne duhet të bashkohemi e të fitojmë. Sikur këtë vit. Sikur më 1 shtator. LVV