Enti i Hekurudhave të Greqisë, OSE, dhe Hekurudhat shqiptare kanë rënë dakort të bashkëpunojnë për ngritjen e një linje të re hekurudhore që lidh qytetin grek të Follorinës me Pikën kufitare të kapshticës dhe më tej me qytetin e Pogradecit, në juglindje të Shqipërisë. Sipas burimeve zyrtare greke, që i referohen Ministrisë së Transporteve, projekti pritet të mbështetet nga fondet IPA të Bashkimit Europian në kuadër të Programit INTEREG-2 për vitet 2014-2020.
Projekti për lidhjen hekurudhore Greqi-Shqipëri, parashikon që të ngrihet një linjë hekurudhore nga fillimi, e cila do të jetë njëkalimshe dhe e elektrifikuar. Transporti pritet të realizohet, sipas studimit paraprak, me tren elektrik. Kosto e projektit vetëm për pjesën greke nga qyteti i Follorinës deri në Kapshticë, rreth 50 km, parashikohet të shkojë në 397 milion euro. Në pjesën shqiptare linja hekurudhore, sipas studimit, pritet të shkojë nga Pika kufitare e Kapshticës deri në Pogradec, gati 61 km dhe kosto pritet të jetë më e lartë. Të dy vendet, në nivel ministror, kanë rënë dakort për propozimin e përbashkët që shihet si mjaft i rëndësishëm për lehtësimin e qarkullimit si të emigrantëve edhe për lëvizjen turistike dhe qarkulimin e mallrave. Pika e Kapshticës nuk e përballon aktualisht ritmin e lëvizjes dhe shpesh në kufi shfaqen radhë të gjata.
Në proçes një projekt për linjën Janinë –Kakavijë
Pak kohë më parë nisi dhe hartimi i një projekti për linjën hekurudhore Janinë –Kakavijë. Këshilli i Rajonit të Epirit, në Greqinë Veriore, shpalli konkurimin për këshillim teknik dhe studimin mbi zhvillimin e ndërtimit të rrjetit hekurudhor.Faza e parë e projektimit mbështetet me nëj financim nga qarku grek dhe më pas përmes organizmave të të dy vendeve do të synohej gjetja e fiancimeve.
Ngritja e rrjetit hekurudhor mes Greqisë dhe Shqipërisë, në kuadër të projekteve të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, do t`i ndihmonte jo vetëm përmirësimit të lëvizjes së mjeteve dhe mallrave, por edhe nxitjes së turizmit. Sipas zyrtarëve të Prefekturës së Janinës, komiteti i përbashkët Shqipëri – Greqi, në parim, e ka miratuar këtë projekt dhe mbetet të hidhen hapa konkretë për realizimin e tij.
Hekurudhat shqiptare në krizë; në tetor shpallet gara për Tiranë-Rinas-Durrës
Gjendja e hekurudhave shqitare mbetet ende mjaft e vështirë për shkak të mungesës së investimeve në këtë sektor. Por së fundi qeveria pritet t`i kthehet projektit të hekurudhës Tiranë – Durrës, rikonstruksioni i së cilës dështoi në vitet 2000. Sipas Ministrisë shqiptare të Transportit në tetor pritet të hapet tenderi ndërkombëtar për rindërtimin e segmentit të hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës.
Hekurudha shqiptare ka tashmë gati projektin e ndërtimit dhe rikonstruksionit të këtij segmenti hartuar me konsulencë ndërkombëtare. Sipas burimeve zyrtare vlera e investimit pritet të jetë 81.5 milionë euro. Projekti, parashikon rikonstruksionin e segmentit aktual Tiranës-Durrës, dhe ndërtimin e një segmenti të ri që do të lidhet me Rinasin, në një gjatësi 50 kilometër. Për fazën e ndërtimit që do të zgjasë tre vjet do të përfshihen në punime rreth 1400 punonjës. (voa)