Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, të paktën 2 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara infektohen çdo vit dhe 23 mijë prej tyre vdesin pas infektimit me bakterie rezistente ndaj ilaçeve. Në disa raste dallimi mes jetës dhe vdekjes mund të përcakohet nga koha se kur është zbuluar bakteria rezistente. Pra, nëse ajo zbulohet më herët, shanset për të mbijetuar janë më të mëdha. Shkencëtarët polakë kanë gjetur një mënyrë për të identifikuar bakteriet që u rezistojnë ilaçeve.
Firma “Biolavee” ka prodhuar një pajisja sa një furre me mikrovalë, e cila mund të ndihmojë në identifikimin e bakterieve që u rezistojnë ilaçeve.
Pajisja mund të përdoret edhe nga amatorë, të cilët thjesht duhet të vendosin një mostër të bakteres në një enë dhe të shtypin një buton.
Makina e izolon dhe analizon mostrën e bakterieve dhe brenda nëntë deri në gjashtëmbëdhjetë orësh prodhon rezultuatin e analizës.
Deri tani pajisja është testuar në mënyrë të efektshme tek kafshët, por prodhuesit e saj thonë se ajo mund të përshtatet lehtë për përdorim edhe tek njerëzit.
Damian Andrzejewski, ekspert i teknologjisë:
“Duke e përshtatur për kafshët, ne mund të përdorim më pak antibiotikë. Pra, jemi duke ndihmuar jo vetëm kafshët, por edhe konsumatorët.”
Ngjyrat dhe kimikatet e përdorura në laboratorët tradicionalë janë zëvendësuar me një sistem optik.
“Ne përdorim vetëm lazerët për të përcaktuar specien e baktereve. Secila specie ka format e saj specifike. Këto forma bëhen të dukshme përmes lazerit.”, thotë eksperti.
Pajisja mund të analizojë 20 mostra në të njëjtën kohë. Rezultatet dërgohen në një sistem të ruajtjes së të dhënave.
Lukasz Pawelek, menaxher i kompanisë “Bioavlee”
“Një ditë, pajisja jonë do të kryejë teste në çdo restorant, vende ku infeksionet me salmonelë nuk janë aq të rralla. Pasi këto bakterie rriten shumë shpejt, identifikimi i tyre i shpejtë do të ishte një avantazh i qartë. Në rrethana të tjera, ne mund të përdorim këtë pajisje për të mbrojtur njerëzit nga rreziku i një epidemie.”
Duke patur parasysh përhapjen e mikrobeve rezistente ndaj antibiotikëve të shumtë dhe efektin e tyre vdekjeprurës, disa mjekë thonë se përdorimit të antibiotikëve për trajtim të infeksioneve mund t’i vijë fundi. Kjo pajisje mund të ndihmojë mjekët dhe amatorët në identifikimin e shpejtë dhe luftimin e bakterieve vdekjeprurëse. (voa)