Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim thotë se për të ulur varfërinë globale duhen përpjekje të forta për ta bërë rritjen ekonomike më gjithëpërfshirëse. Thirrja e tij vjen ndërkohë që shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde paralajmëroi se ekonomia botërore është duke u rritur me një ritëm shumë të ngadaltë. Të dy folën para takimi të kësaj jave në Uashington të zyrtarëve të lartë ekonomikë nga mbarë bota.
Banka Botërore thotë se përpjekjet më të forta për zbutjen e pabarazisë janë çelësi i uljes së varfërisë ekstreme në botë. 767 milionë njerëz jetuan me 1,9 dollarë në ditë në vitin 2013, 100 milionë më pak sesa në vitin 2012.
Shifrat e vitit 2013 tregojnë se 10.7 përqind e popullsisë së botës jetonte në varfëri të skajshme, një rënie në krahasim me vitin 2012 në të cilin niveli i varfërisë së skajshme ishte 12.4 përqind.
Gjysma e të varfërve të botës jetojnë në Afrikën nën-Sahariane dhe një e treta tjetër në Azinë Jugore.
Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim përshëndeti rënien e nivelit të varfërisë së skajshme, por thotë se pabarazia është një pengesë në përpjekjet për uljen e varfërisë në vetëm 3 përqind të popullsisë botërore deri në vitin 2030.
“Pabarazia është ende tepër e lartë, si në nivel global dhe brenda vendeve. Kjo e kufizon rritjen dhe krijon paqëndrueshmëri.”
Zoti Kim thotë se është e jashtëzakonshme që varfëria është në rënie, në një kohë kur rritja ekonomike globale është tepër e ngadaltë. Por ai u bëri thirrje udhëheqësve të vendeve që të shpenzojnë më shumë në infrastrukturë dhe shkolla, dhe të përgatiten për të përballuar fatkeqësitë si përmbytjet që mund të dëmtojnë rritjen ekonomike.
“Ne duhet të inkurajojmë udhëheqësit që ta kuptojnë se këto investime jo vetëm që do të çonin në rritje ekonomike gjithëpërfshirëse, por do të vendosnin themelet sociale që mund të veprojnë si një mburojë kundër paqëndrueshmërisë, dhunës dhe konfliktit.”
Shumë vite pas përfundimit të recesionit ekonomik, punëtorët e fabrikave, punëdhënësit dhe udhëheqësit politikë, janë të irrituar me ritmin e ngadaltë të rimëkëmbjes. Edhe shefja e FMN-së, Christine Lagarde nuk është e kënaqur me ritmin e rimëkëmbjes.
“Ritimi i rritjes ka qenë tepër i ngadaltë, për një kohë tepër të gjatë, në shumë pak vende.”
Ekonomisti David Stockton i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare thotë se ekonomia botërore është rritur me vetëm 3 për qind në vit dhe ka të ngjarë të ngelet në këtë nivel.
“Aktualisht unë nuk shoh asgjë që do të sugjeronte një rritje më të shpejtë ekonomike, dhe nuk shoh as shenja domethënëse të një rënie të ritmit të rritjes aktuale.”
Shumë votues në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera fajësojnë marrëveshjet jo të mira tregtare për vendet e humbura të punës dhe perspektivat e zbehta për përmirësimin e gjendjes. Kjo ka ndihmuar kandidatët si Donald Trump, i cili është kritik i marrëveshjeve për tregti të lirë. Por edhe rivalja e tij, Hillary Clinton, ka folur kundër një marrëveshjeje të rëndësishme tregtare. Zemërimi i votuesve është i gabuar, thotë zonja Lagarde.
“Tregtia ka qenë motori i rritjes ekonomike”, u shpreh ajo.
Një raport i agjencisë Fitch për vlerësimin e kreditit thotë se rreziqet politike, veçanërisht rritja e popullaritetit për masat proteksioniste, mund të dëmtojnë tregtinë ndërkombëtare dhe rritjen ekonomike, që shumica e ekonomistëve thonë se vjen pikërisht nga tregtia e lirë. (voa)