Komisioneri Europian për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn ishte për një vizitë në Shkup ku u takua me drejtuesit kryesorë politikë dhe shtetërorë, të cilëve u kërkoi që të zbatohen reformat dhe të krijohen kushte për zgjedhje të lira në dhjetor të këtij viti.
Ai u bëri thirrje të rinjve që të dalin sa më shumë në votime dhe theksoi gjithashtu nevojën për t’i lënë veprimtari të lirë të Pokurorisë së Posaçme.
Komisioneri evropian për Zgjerim Johannes Hahn vjen në Maqedoni për të parë gjendjen para zgjedhjeve të pritshme të 11 dhjetorit, ndërkohë që ka zëra dhe mendime se data mund të shtyhet për shkak të mosplotësimit të kushteve dhe kërkesave të shtruara nga Prokuroria e Posaçme.
Zoti Hahn ka takuar drejtuesit e katër partive më të mëdha, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi dhe autoritete të larta qeveritare; po ashtu ai ka takuar edhe Prokuroren e Posaçme, Katica Janeva.
Ai tha se po zhvillohet një process i rëndësishëm, se votimet janë të rëndësishme për BE-në, ndërsa theksoi se “zgjedhjet nuk janë gjithçka, megjithatë ato paraqesin një kthesë të Maqedonisë kah rruga evropaine dhe eoro-atlantike”, u shpreh ai. Ai shtoi se me po kaq rëndësi është të veprohet në reformat urgjente për zbatimin e rekomandimeve të diplomatit Pribe dhe të marrëveshjes politike.
Komisioneri u ka thënë aktorëve kryesorë politikë të Maqedonisë se zgjedhjet paraqesin një hap të rëndësishëm për vendin e tyre:
“Është me rëndësi që të përgatiten zgjedhjet dhe të mbahen në atë mënyrë që askush më pas të mos mund të kritikojë. ODIHR dhe organizata të tjera do të jenë këtu për të vëzhguar gjithçka dhe për të raportuar.”
Komisioneri evropian ua ka bërë gjitashtu me dije zyrtarëve në Shkup, se puna e Prokurorisë së Posaçme duhet të bëhet ashtu siç ndodh nëpër vendet evropiane dhe se është e rëndësishme për të gjithë që të respektojnë sundimin e ligjit:
“Prokurorja e posaçme dhe ekipi i saj duhet të punojnë në kushte të përshtatshme”, – tha komisioneri.
Ai vërejti shënimin e përparimit në fushën e medias në kuadër të procesit të zgjedhjeve dhe vlerësoi synimet për paanshmëri, objektivitet dhe profesionalizëm gjatë raportimit.
“Qeveria e re duhet ta ndjekë perspektivën evropiane; ne duam të shohim realizimin në afat të reformave dhe marrëveshjeve. Po bëhen gati dy vjet në një gjendje jostabiliteti politik dhe kjo ka ndikuar në ekonominë e vendit. Duhet të punohet edhe për njerezit, për ngritjen e ekonomisë dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët”, tha zyrtari i lartë evropian.
Zoti Hahn bëri thirrje që të mos nxiten tensione ndëretnike në fushatë, ndërsa votuesve të rinj, që të dalin dhe të votojnë në mënyrë individuale dhe medias që t’i nxisin ata për pjesëmarrje në proces. (voa)