Maqedonia rrezikon rrëshqitjen drejt një diktature, thonë analistët për DW, pasi ish-kryeministri Nikola Gruevski sulmoi me kërcënime përfaqësuesit perëdnimorë në vend dhe organizatat jo-qeveritare.
Një listë me kërcënime e përpiluar nga kryesia e partisë në pushtet në Maqedoni dhe eshpallur nga i saj dhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, e shtangu vendin dhe ngjalli mosbesim, më pak se një javë pasi VMRO-DPMNE-ja nacionaliste fitoi me një shumicë të ngushtël dhe të kontestuar fort zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Lista, e lëshuar si një manifest, deklaron se partia në pushtet ka në plan për t’i dhënë fund ndërhyrjes së huaj, të ndalë negociatat me ndërmjetësimin e BE-së apo SHBA-së dhe të luftojë kundër OJQ-ve të financuara nga jashtë.
E indinjuar, se opozita vendosi të ankohet për parregullsi në votime në disa qendra elektorale, Gruevski deklaroi para mbështetësive të tij të mbledhur më 17 dhjetor para Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), se ai nuk do të tolerojë më pazarllëqe me të huajt. “Disa ambasadorë po përzihen shumë në politikën tonë të brendshme. Kjo duhet të ndalet “, tha ai.
Duke sulmuar ashpër në adresë të diplomatëve perëndimorë në vend gruevski i akuzoi përfaqësuesit e huaj pa i përmendur me emër, se “po përpiqen për të ndikuar në KSHZ” dhe se këto përpjekje duhet të ndalen.
“Ne kemi informacione, se përfaqësuesit e huaj janë përfshirë në punën e KSHZ-së me qëllim për të ndikuar anëtarët e tij që të kryejnë inxhinieri post-zgjedhore dhe për të falsifikuar vullnetin e qytetarëve”, tha Gruevski.
Gruevski dha dorëheqjen nga posti i tij në janar, pas gati 10 vjetësh në detyrë, pasi opozita zbuloi një skandal përgjimi si dhe korrupsionin e përhapur. Qeveria e re në përputhje me një marrëveshje politike ndërmjetësuar nga BE-ja u formua me detyrë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Në një tjetër deklaratë shqetësuese, Gruevski njoftoi se partia e tij nuk do të marrë më pjesë në takime politike në praninë e ambasadorëve ose përfaqësuesit e huaj.
Mbështetja e BE-së dhe SHBA-së ka qenë vendimtare për Maqedoninë që kur fitoi pavarësinë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991 dhe sidomos në vitin 2001 kur vendi ishte në një prag të luftës së përgjakshme civile mes shumicës së maqedonasve etnikë dhe pakicës etnike shqiptare, që përbën rreth një të katërtën e popullsisë së vendit. Në vitin 2015 Brukseli dhe Uashingtoni ndihmoi për zgjidhjen e krizës së thellë politike duke ndërmjetësuar arritjen e marrëveshjes mes partive politike maqedonase në armiqësi.
Nuk ka partner për Gruevskin
Bazuar në rezultatet paraprake VMRO-DPMNE e Gruevskit ka fituar 51 nga 120 vendet në parlament, dy më shumë se Social Demokratët e opozitës. Si rrjedhojë Gruevskii i duhet të formojë një koalicion me një partner të vogël nga blloku politik shqiptar etnik për të siguruar shumicën për një qeveri të re. Por deri tani, asnjë nga katër partitë e vogla që përfaqësojnë pakicën shqiptare nuk janë të gatshme për t’u bashkuar me atë.
Duke u përballur me mundësinë e humbjes së pushtetit dhe nën presionin e madh ndërkombëtar për të lejuar ndryshimet demokratike, Gruevski tregohet i pa kompromis, duke pretenduar se ai nuk do të lejojë që rivali i tij Zoran Zaev i opozitës Social Demokratëve të formojë një qeveri, dhe se partia e tij “nuk do të lejojë funksionimin e institucioneve që nuk kanë legjitimitetin e qytetarëve. ”
Nano Ruzhin, ish-ambasador i Maqedonisë në NATO, thotë për DW, se Gruevski është duke u përpjekur dëshpërimisht për të zbatuar një skenar të ndryshëm dhe për ta ndryshuar fatin e tij.
“Ai dëshiron të hyjë në koalicionin e mundshëm qeverisës me çdo kusht”, tha Ruzhin. “Nëse ai nuk do të ketë sukses, ai do të përpiqet që ta kthejë vendin në autokraci me pasoja të paparashikueshme për vendin dhe demokracinë e saj”.
Nata e thikave të gjata
Që nga fillimi i krizës politike në Maqedoni mediat pro-qeveritare rregullisht kanë fajësuar BE-në, SHBA-në dhe OJQ-të që sipas tyre financohen nga miliarderi amerikan George Soros, për atë që ato e perceptojnë si konspiracion kundër qeverisë. Fjalimi i Gruevskit shënon një nivel të ri të agresionit ndaj përfaqësuesve perëndimore në vend dhe të mbështetësve të opozitës.
“Ne do të luftojmë për të de-Soros-izuar Maqedoninë dhe për forcimin e një shoqërie civile të pavarur, që nuk do të jetë nën kontrollin e dikujt”, deklaroi Gruevski.
Thirrjet për protesta para ambasadës së SHBA-së në Shkup, përmes mediave sociale janë plotësuar më pas me kërcënimet ndaj mbështetësve të opozitës dhe publikimin e adresave të shtëpive të tyre shoqëruar me mesazhin “Bëhuni gati, ne po vijmë”. Duke folur gjatë një tubimi të VMRO-së më 15 dhjetor një zyrtar i partisë u tha mbështetësve për t’u përgatitur për “Natën e thikave” ndoshta duke iu referuar ngjarjeve në Gjermaninë naziste në vitin 1934 të njohur si “Nata e thikave të gjata”.
Informacione vënë në dispozicion DW-së nga burime që nuk duan të identifikohen para zgjedhjeve konfirmojnë, se ka pasur plane nga ana e partisë në pushtet për të ndaluar financimin nga jashtë të OJQ-ve vendase. Ligji i ri besohet të jetë i ngjashëm me Ligjin Agjentët e Huaj të Rusisë, i aplikuar më 2012 nga administrata e Vladimir Putinit.
Por disa nga përfaqësuesit e sektorit joqeveritar të Maqedonisë duket se nuk janë lëkundur prej kërcënimeve të Gruevskit.
“Ky ishte fjalimi i fundit i Gruevskit”, i tha DW-së, Andrea Stojkovski president i Qendrës Maqedonase për arsim evropian, një think-tank. “Ai i shpalli luftë të gjithëve dhe me këtë fjalim ai vetëm sa e ka hapur derën për largimin e tij nga politika.” (DW/Boris Georgievski)