Robotët për rastet e fatkeqësive

robotet-per-fatkeqsiteNdërsa Italia përpiqet të rindërtohet pas tërmeteve vdekjeprurëse, shkencëtarët shpresojnë se një brez i ri robotësh do të ofrojë mbështetje më të mirë teknike për ekipet e shpëtimit në të ardhmen. Robotët janë ndërtuar për të kryer veprime të ndryshme në hapësira të rrezikshme dhe mjaft të vështira që kufizojnë qasjen e ekipeve të shpëtimit. Robotët njëkohësisht mund të ofrojnë të dhëna nga vendngjarja.

Një “krijesë metalike” me katër këmbë po tregon aftësitë mbi një terren shkëmbor. Roboti HyQ ose “katërkëmbëshi hidraulik” është prodhim i hulumtuesve të Departamentit të Avancimeve Robotike në Institutin italian të Teknologjisë në Xhenova.

Me katër gjymtyrë hidraulike dhe sensorë që kontrollojnë pozicionin dhe fuqinë, roboti mund të kryejë veprime në terrene të ndryshme si vrapim, ecje para dhe prapa si dhe të ngrihet nëse rrëzohet.

Këto janë pikërisht cilësitë që i nevojiten një roboti për të penetruar në terrene të paqëndrueshme dhe të rrezikshme si ndërtesat e rrënuara si pasojë e tërmeteve.

Menaxheri i projektit HyQ, Claudio Semini, thotë se ndërtimi i robotit me katër gjymtyrëve është çelësi që i mundëson robotit lëvizjen në një zonë fatkeqësie.

“Roboti katërkëmbësh në të ardhmen do të jetë në gjendje të ecë në terrene të rrezikshme. Mes aftësive të veçanta është ngjitja e shkallëve apo futja në cepat e ndërtesave të shkatërruara. Aftësia e madhe për lëvizje është nxitësi kryesor për të ndërtuar pajisje të tilla që kanë këmbë në vend të rrotave apo zinxhirëve”.

Edhe ekipet e shpëtimit kanë nevojë për mbrojtje kur shkojnë në zonat e goditura nga tërmeti në kërkim të të mbijetuarve nën rrënoja. Puna mbi strukturat e dëmtuara i vë ata përballë rreziqeve të mëdha, sidomos nga pasgoditjet që regjistrohen pas tërmetit.

Inxhinierët italianë duan ta përdorin robotin HyQ që të ndihmojë ekipet emergjente gjatë operacioneve të rrezikshme, duke i përdorur “krijesat metalike” që të transportojnë materiale apo të shkojnë në zona të paarritshme për njeriun.

Roboti ka një gjatësi prej një metri dhe peshon 75 kilogramë. Ekipi krijues thotë se makineria ka aftësi të masë presionin që ushtron mbi sipërfaqen ku lëviz dhe ndryshon veprimet në bazë të kushteve.

“Roboti është shumë i shkathët dhe bën lëvizje të ndryshme. Mund të vetë-drejtohet, të ecë mbi rrënoja, të ngjisë dhe zbresë shkallë, kapërcejë hendeqe etj. Robotët e tjerë kryesisht përqendrohen në një aftësi si ecja e shpejtë apo ngjitja. Roboti ynë i ka bashkuar të gjitha aftësitë në një makineri të gjithanshme,” thotë zoti Semini.

Luca Ciarleglio është menaxher për fatkeqësitë pranë agjencisë italiane për mbrojtjen civile në Firence. Ai ishte mes specialistëve në terren pas termetit vdekjeprurës në Amatrice më 24 gusht ku humbën jetën 300 vetë. Gjatë muajve që pasuan, tre lëkundje të fuqishme goditën zonën.

Zoti Ciarleglio është i impresionuar nga aftësitë e robotit dhe shikon potencial tek kjo makineri.

“Ky lloj roboti me aftësi të shumëllojshme mund të përdoret në zonat e shkatërruara nga termeti. Katërkëmbëshi ka stabilitet më të madh dhe shpërndan peshën tek të katër gjymtyrët ndërsa ecën mbi strukturat e rrëzuara. Sa më pak peshë vëmë në strukturat e rrëzuara aq më të mëdha janë shanset për të zbuluar të mbijetuar nën rrënoja. ”

Për momentin roboti nuk mund të futet vetë në ndërtesat e dëmtuara. Por ekipi shpreson që së shpejti roboti të ketë edhe aftsësinë të futet në ndërtesa dhe të bëhej pjesë e operacioneve në rastet e emergjencave. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>