Këto ditë flitet me të madhe për një bashkim të partive shqiptare që fituan mandate deputetësh, me synimin për të shfrytëzuar atë që shumëkush quan situatë politike të favorshme për shqiptarët në Maqedoni duke kushtëzuar mandatarin nga krahu maqedonas për të krijuar qeverinë dhe për të shmangur krizën qeveritare dhe politike në Maqedoni.
Në këto kushte, vetëm një force politike, “Aleanca për shqiptarët” shpalli propozimin e saj për 6 kushtet për të gjitha partitë për të marrë pjesë në qeverinë e koalicionit: – gjuha shqipe zyrtare në tërë vendin; ndarja e drejtë e buxhetit; përfaqësimi i drejtë në pushtet i shqiptarëve; dekriminalizimi; lirimi i të burgosurve shqiptarë të pafajshëm në rastet e montuara dhe dëmshpërblimi i tyre; si dhe njëri nga postet kryesore të shtetit të jetë shqiptar.
Po cili është shteti të cilin shqiptarët duke bashkuar partitë, me apo pa kushtëzime, duan ta shpëtojnë nga kriza qeveritare në veçanti dhe ajo politike në përgjithësi?
Çdo qytetar shqiptar i zakonshëm, i interesuar, në Google gjen këto definicione për sistemet qeverisëse:
Sistemi qeverisës unitar, të cilin ka aktualisht Maqedonia, nënkupton pushtet qendror të centralizuar, që funksionon më së miri në shtetet-kombe, ku mund të ekzistojnë dallime kulturore brenda shtetit por ekziston një ndjenjë e fortë e krenarisë dhe unitetit kombëtar. Qeveritë e këtij lloji janë të shpeshta në Evropë. Në shtetet multinacionale me sistem unitar, shpesh është e pritshme që vlerat dhe besimet e një kombësie të imponohen mbi ato më të vegjlit. Kur partitë komuniste kontrollonin qeveritë, shumë vende të Evropës Lindore kishin sisteme unitare, për të përhapur dhe për të promovuar përhapjen e vlerave komuniste.
Derisa shteti unitar mban të gjithë pushtetin nën kontrollin e pushtetit qendror, shteti federal ndan pushtetin midis autoriteteve qendrore dhe qeverive lokale apo rajonale të cilave u është dhënë vetëqeverisje e konsiderueshme, zakonisht përmes legjislaturave të tyre. Shteti federal ka një kushtetutë ose ligj tjetër të lartë të shtetit që përcakton kompetencat e dhëna për të dy qeveritë, qendrore dhe lokale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia, Republika federale e Gjermanisë janë shembuj tipik të shtetit federal.
Ndërkaq, konfederata është në thelb një aleancë mes shteteve apo kombeve që bien dakord të punojnë së bashku në drejtim të interesave të përbashkëta, por ende ruajnë kompetencat e tyre individuale të qeverisjes.
Pasi lexon këto, nuk mund të mos mendosh se si është e mundur që një grusht serbësh, që nuk përfaqësojnë as 5% të popullsisë së Kosovës, edhe pse me vende të garantuara në parlament, të vetëdijshëm për rëndësinë e sistemit qeverisës për pozitën e tyre si grup etnik në këtë shtet, nuk hezituan që ti reken punës në këtë drejtim, duke filluar me themelimin e Asociacionit të komunave Serbe në Kosovë si gurrëthemel i një qeverie lokale të nesërme. Në ndërkohë, për njëzetepesë vite me radhë, asnjë parti politike shqiptare, nuk sheh të udhës të kontestojë sistemin qeverisës unitar të Maqedonisë, si burim i të gjitha padrejtësive, si dhe pengesën kryesore për realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve të Maqedonisë. Përmenden me zell, një nga një padrejtësitë që maqedonasit u bëjnë shqiptareve duke ushtruar pushtetin që u jep sistemi qeverisës, për të siguruar privilegje për vete, por nuk përmendet burimi i këtyre padrejtësive.
Çfarë i bën kjo maqedonasit? Partitë maqedonase bëjnë atë për të cilën kanë marrë votat nga maqedonasit, në kushtet e sistemit aktual qeverisës – u sigurojnë atyre pozitën e etnisë së privilegjuar përballë etnisë shqiptare. Të vetmen vërejtje që mund t’u japim ne shqiptarët që nuk votojmë për partitë maqedonase është se përmes shërbimeve të sigurimit ata fusin duart në partitë tona, në organizimin tonë politik, dhe me këtë japin një mesazh shumë të dëmshëm shqiptarëve – që nuk ka të ardhme për shqiptarët në një shtet të përbashkët me ta.
Po çfarë i bën kjo shqiptarët? Në gjithë botën, kur përfaqësuesit e një populli shkelin interesat e votuesve duke vënë interesat personale mbi ato të votuesve, quhet tradhti kombëtare. Edhe në këtë situatë, që konsiderohet situatë e favorshme politike për shqiptarët, në rast se partitë shqiptare, dhe deputetët që morën mandatin të përfaqësojnë vullnetin politik të shqiptarëve, do të mundësojnë formimin e qeverisë, pa vënë në diskutim sistemin qeverisës unitar si pengesë për avancimin e pozitës së shqiptarëve në këtë shtet dhe me këtë duke shkelur interesat e shqiptareve të cilët i përfaqësojnë, do të meritojnë epitetin e tradhtarit të kombit. Emër të bukur për këtë nuk ka! (Afrim Fanda)