Instituti i Statistikave raportoi se prodhimi kombëtar u rrit me 3.08 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2016 i udhëhequr kryesisht nga turizmi.
“Kontributin kryesor e dhanë tregtia hotele, restorante dhe transport me 1. 12 pikë përqindje, ndërtimi me 0.77 pikë përqindje, aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 0.42 pikë përqindje”, tha drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimaj.
Ndërsa e matur sipas shpenzimeve rritja ekonomike është përcaktuar kryesisht nga ecuria pozitive e investimeve.
“Konsumi final i popullatës u rrit me 1.65 për qind, ndërsa prodhimi bruto i kapitalit fiks, pra invesimet në ekonomi u rritën me 11.89 për qind”, vijon Ibrahimaj.
Por INSTAT ka rishikuar rritjen ekonomike edhe për dy tremujorët e parë të vitit 2016 dhe sipas tij ajo ka qenë me e larta nga sa ishte vlerësuar më parë. Kjo ka bërë që në total për 9 mujorin e 2016-ës rritja ekonomike të aarrijë në 3.27 për qind nga 2.7 për qind që ishte në 2015.
“Dhe ndërkohë, rritja ekonomike e vitit të kaluar është një premisë shumë e mirë që ne të vazhdojmë për 2017 të tentojmë 3.7-3.8 për qind”, tha ministri Arben Ahmetaj.
Ky është viti i tretë me radhë që rritja ekonomike forcohet pas pikut të ulët 1 për qind që shënoi në 2013-ën.
“Këto nuk janë më shenja, janë statistika të qëndrueshme që Shqipëria ka hyrë në një cikël shumë pozitiv ekonomik”, tha më tej Ahmetaj.
/ Top Channel