Në shumicën e institucioneve parauniversitare dhe ato shëndetësore në Kosovë po zhvillohet greva një ditëshe e organizuar nga sindikatat përkatëse.Greva e të dy sektorëve ka për qëllim realizimin e Kontratës Kolektive, të nënshkruar në mars të vitit të kaluar, ndërmjet Qeverisë se Kosovës dhe përfaqësuesve të bizneseve dhe punëtorëve.
Kontrata Kolektive, marrëveshja mbi të cilën është arritur në bazë të Ligjit të Punës, ligjërisht rregullon të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat.
Rexhep Sadiku, nënkryetar i Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, (SBASHK) për Radion Evropa e Lirë, tha se shumica e mësimdhënësve në nivel shtetëror kanë hyrë në grevë.
“Greva ka filluar dhe gjithçka është duke u zhvilluar sipas skenarit të paraparë të SBASHK-ut. Sipas informacioneve që kemi, po zbatohet vendimi”, tha Sadiku
Kërkesat e SBASHK-ut kanë të bëjnë me pikat e parealizuara deri më tash nga Kontrata Kolektive, siç janë: shujta 2 euro për çdo ditë pune, kompensimi prej 0,5 për qind për çdo vit të shërbimit, kompensimi prej 70 për qind për biletat e udhëtimit për mësimdhënësit me rastin e pensionimit dhe tre paga mesatare për mësimdhënësit me rastin e pensionimit.
Por, zyrtarë të Ministrisë se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë kërkuar mirëkuptim nga SBASHK-u dhe mësimdhënësit, në mënyrë që të jepet kohë për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme.
Azem Guri, këshilltar i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, për Radion Evropa e Lirë, tha se nga pikat e Kontratës Kolektive si pikë më e ndjeshme është çështja e sigurimit të shujtës ditore për të punësuarit në këtë sektor.
“Kjo pikë kap shumën prej10.5 milion euro, po ashtu kërkon kohë, kërkon hapësirë dhe menaxhim të buxhetit. Prandaj ne kemi kërkuar nga SBASHK-u mirëkuptim në këtë pikë”.
“Kurse sa i përket çështjes se biletave të udhëtimit, që është e paraparë në 70 për qind të transportit urban, në takimin që ka pasur më kryetarët e komunave ministri i Arsimit Arsim Bajrami, kryetarët e komunave kanë shprehur gatishmëri që këtë pikë të përmbushin, madje disa komuna e kanë të përfunduar këtë çështje, kurse disa janë në proces e sipër”, tha Guri.
Në anën tjetër edhe punëtorët shëndetësorë në gjithë territorin e Kosovës kanë filluar grevën 24 orëshe, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë.
“Sot, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, gjegjësisht punëtorët shëndetësorë kanë filluar grevën nga ora 7:00 e mëngjesit. Fillimisht kërkojmë ndjesë nga qytetarët dhe i lusim ata të na mirëkuptojnë”, tha zoti Syla, duke njoftuar se greva do të zgjasë deri në orën 7 të mëngjesit të së shtunës.
Punëtorët shëndetësorë kërkojnë zbatimin e Kontratës Kolektive dhe të fillohet dialogu për rritjen e pagave.
Izet Sadiku, këshilltar i ministrit të shëndetësisë, Imet Rrahami, shprehet se sa i përket Kontratës Kolektive, pritet zbatimi i pikave të kërkuara nga punëtorët shëndetësor, por që kjo çështje kërkon kohë.
Sa i përket fillimit të dialogut për rritjen e pagave, Sadiku thotë se janë të gatshëm të diskutojnë për këtë çështje, por që rritja e pagave duhet të jetë vendim i qeverisë.
“Ata (punëtorët shëndetësorë), kanë kërkuar që të hyjmë në diskutime për këtë çështje, këtë e ka premtuar edhe Ministria e Shëndetësisë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Mirëpo, nuk mund të premtohet pa ditur zhvillimin ekonomik dhe faktorë të tjerë të cilët përcaktojnë rritjen e pagave”, tha Sadiku.
Sidoqoftë, në funksion janë shërbimet emergjente në klinikat shëndetësore, transfuzioni, hemodializa dhe lindjet. (rel)