Shkarkohet ministri i Drejtësisë Manjani

Ylli ManjaniNë Shqipëri ministri i Drejtësisë Ylli Manjani u shkarkua sot nga detyra. Në vend të tij u propozua një tjetër përfaqësues i Lëvizjes socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Ndërsa qeveria ju përmbajt një formulimi të përgjithshëm për motivet e vendimit, vetë zoti Manjani hodhi një lumë kritikash ndaj qeverisë, duke folur për një hakmarrje të kryeministrit për shkak të qëndrimeve të tij publike ndaj fenomenit të kultivimit të marijuanës dhe kundërshtimeve që siç tha ai, i kishte bërë disa praktikave korruptive.

Pasi kryeministri Edi Rama doli nga zyrat e kryetarit të parlamentit Iir Meta, qeveria u mjaftua fillimisht të publikonte paradite vetëm shkresën e shkarkimit të ministrit Manjani, duke shtuar pasdite vonë disa rreshta të përgjithshëm për arsyet e vendimit të marrë “në funksion të përmirësimit të bashkëqeverisjes, për një koordinim sa më të mirë të punës me parlamentin, dhe për çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi”.

Por nga ana e tij zoti Manjani ishte me konkret ndërsa foli me një gjuhë të ashpër ndaj qeverisë: “Gjesti dhe akti i kryeministrit sot për shkarkimin tim është hakmarrje e pastër, për qëndrimet e miaa dhe pozicionin tim, dhe sigurisht në mënyrë të veçantë për qëndrimet e mia në raport me kanabisin. Ajo ka qenë diçka therrëse dhe e papranueshme për kryeministrin, sepse dalë ngadalë po I dalin petët lakrorit dhe e vërteta nuk është fare ashtu siç thotë kryeministri. Mua nuk më lidh asgjë me këtë pjesë. Jam i nderuar që jam shkarkuar. Do isha shumë i fyer po të jepja dorëheqjen, sepse unë s’mund të marrë përgjegjësitë e kanabizimit të këtij vendi, dhe nuk mund të marr përgjegjësit e marrjhes se vendimeve në kushtet e presionit të biznesve të paligjshme dhe trafikut. Këtë përgjegjësi ta harrojë cilido që e ka në mendje ta faturojë tek unë.”

Zoti Manjani tha se ai ka patur debate të shumta me kryeministrin për çështje parimore dhe jo personale: “Po fole pa lejen e Fugës, shkarkohesh, ky është mesazhi i Kryeministrit. Po qe se mendove dhe guxon të japësh një opinion, shkarkohesh. Rri urtë, bëj ndonjë tender, bëj ndonjë konçension, mos fol në media, je burrë i mirë. Ky është mesazhi që jep Kryeministri në 6 muajt e fundit”.

Zoti Manjani lëshoi akuza të forta dhe ndaj ministrit të Brendshëm lidhur me çështjen e Klement Balilit, personazhit të dyshuar si kreu i një organizate të fuqishme të narkotrafikut. Sipas tij ai duhej të ishte ndaluar që në maj kur mbërriti urdhëri i arrestit ndërkombëtar. Por Balili nuk mund të kapet tha ai “përsa kohë ministrat e qeverisë dhe drejtorët e policisë frekuentojnë hetolein luksoz të vëllait të Balilit”.

Kryeministri Rama doli i qeshur nga mbledhja e grupit parlamentar të partisë së tij pasdite, dhe nuk preferoi të bënte asnjë koment mbi shkarkimin e ministrit të tij, dhe sërish ishin përfaqësues të LSI-së që thanë diçka më shumë: “Midis Kryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë ka ekzistuar një situatë problematike, e cila për fat të keq është agravuar ditë pas dite derisa mbërritëm një zgjidhje që kishte vetëm dy rrugëkalime. Njëri ishte të shkarkonim Kryeministrin ose të shkarkohej ministri. Pranuam zgjedhjen dhe zgjidhjen e Kryeministrit për të dëshmuar edhe një herë tjetër që Lëvizja Socialiste për Integrim është e vendosur të bashkëpunojë me shumë seriozitet dhe në partneritet të plotë për të krijuar klimë bashkëpunimi, bashkëqeverisje dhe mirëkuptimi për ecurinë e mëtejshme të reformave të integrimit evropian të vendit”, u shpreh nënkryetari i LSI-së Luan Rama.

Por tensioni mes dy aleatëve duket i lartë. Fundjava e shkuar ishte e mbushur me një breshëri sulmesh ndaj qeverisë nga eksponentë të ndryshëm të LSI, e cila vazhdon të mos i përgjigjet ftesës së kryeministrit për t’u rreshtuar së bashku edhe në zgjedhjet e qershorit. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>