Presidenti i Maqedonisë George Ivanov ka filluar konsultime të veçanta me përfaqësuesit e të gjitha partive politike parlamentare lidhur me gjendjen aktuale politike. Konsultimet me partitë parlamentare fillojnë pas takimit të presidentit me kryetarin e Gjykatës Kushtetutese, Nikolla Ivanovski dhe me ambasadorin e BE-së, Samuel Zbogar. Kabineti i Presidentit Ivanovit thotë, se edhe në rrethanat e reja do të veprojnë në përputhje me përcaktimet kushtetuese dhe në interes të shtetit dhe të qytetarëve të Maqedonisë.
Brukseli bën thirje për konsensus të zgjeruar
Formimi i qeverisë me bazë sa më të gjerë të jetë e mundur ka të bëjë me nevojën për të pasur konsensus të gjerë politik dhe koalicion të gjerë, me çka vendi do të mund të përballet në mënyrë efikase me shumë sfidat, që pasojnë, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiq. Ajo thotë se zbatimi i reformave urgjente, Marrëveshja e Përzhinos dhe zgjidhja e çështjeve bilaterale kërkon përkushtim të fuqishëm nga të gjitha partitë. “Të gjitha partitë e mëdha janë dakord me agjendën reformuese të BE-së dhe pajtohen se rruga drejt BE-së është qëllim strategjik i vendit. Nëse ato punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët, do të kenë defakto shumicë kushtetuese, që është me rëndësi për rrugën euroatlantike të vendit. Dhe për këtë, BE-ja përshëndet përpjekjet e presidentit Ivanov për t’u takuar dhe për t’i përfshirë në proces të gjitha partitë politike”, thuhet në komunikatën e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijançiq.
VMRO “shqetësohet” nga qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së
VMRO-DPMNE përmes një kumtese kërkon sqarim nga Ambasada e SHBA-së në Shkup dhe Komisioni Europian për deklaratat e tyre pas skadimit të afatit për formim të qeverisë. VMRO-DPMNE kërkon sqarim, se: “në bazë të cilës pjesë të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë BE-ja pret që presidenti i vendit George Ivanov të përcaktojë lider për formimin e, siç theksojnë, ‘qeverisë sa më të gjerë’”.
“Që të mos ketë keqkuptime dhe dilema tek opinioni në Maqedoni, dëshirohet që përgjigja e BE-së, gjithashtu të jetë publike”, ceket në kutmesën e partisë, për deklaratën e Komisionit Europian.
“Atë që kishim për ta thënë, e kemi thënë”, kështu janë përgjigjur nga ambasada e SHBA-së, në Shkup, pas kërkesës së VMRO-së për spjegime shtesë. Ambasada e SHBA-së, një ditë pas mossuksesit të VMRO-DPMNE-së për të formuar qeverinë, thanë se janë duke e mbikëqyrur procesin e formimit të qeverisë dhe bëri thirrje që partitë të vazhdojnë bisedimet për formimi e qeverisë së re.
Vajgl dhe Fleckenstein: Maqedonia nuk ka kohë për të humbur
Ndërmjetësuesit për zgjidhjen e krizës në Maqedoni, eurodeputetët Ivo Vajgl dhe Knut Fleckenstein porositën, se zgjedhjet e reja nuk do të jenë të dobishme për vendin. Pas dështimit të Gruevskit, përfaqësuesit europianë vlerësojnë se shansi për formimin e qeverisë duhet t’i jepet partisë së dytë për nga numri i mandatave, ashtu siç është praktikë në të gjitha vendet demokratike. Për deputetin slloven Vajgl zgjedhjet e reja kërcënojnë thellimin e krizës dhe destabilizimin e vendit. “Për Maqedoninë në këtë moment opsioni më kundërproduktiv do të ishte të shkojë në zgjedhje të reja. Zgjedhjet sjellin paqartësi, humbje forcash, humbje kohe. Unë mendoj, se duhet të shfrytëzohen mundësitë normale që një shoqëri dhe shtet demokratik i ka. Nëse nuk ka pasur suksese njëri mandatar shansi duhet t’i jepet mandatarit tjetër”, thotë eurodeputeti Ivo Vajgl. Në vijë të njëjtë edhe eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein. Sipas tij nëse vendi shkon në zgjedhje të reja do të humbasë shumë kohë për zbatimin e reformave urgjente dhe krijimin e një qeverie të qendrueshme.
Ekspertët: Nuk janë shterruar të gjitha mundësitë për formim të qeverisë
Njohësit e çështjeve juridike, thonë se pas dështimit të Gruevskit, Presidenti mandatin për nisjen e bisedimeve me partitë për krijimin e qeverisë duhet t’ia besojë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Profesori i së drejtës kushtetuese, Osman Kadriu, thotë se do të ishte veprim jo i drejtë i presidentit Ivanov nëse anashkalon ndarjen e mandatit LSDM-së. “Mandati patjetër se duhet t’i kalojë Zaevit. Çdo opsion tjetër, ashtu siç e interpretojnë kushtetutën në favor të VMRO-së, është kundër-kushtetues. Kjo parti pati afatin kushtetues prej 20 ditëve dhe tani kurrësesi nuk guxon që mandati t’i shkojë sërish së njëjtës parti”, thotë profesor Osman Kadriu.
Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve juridike, thotë se presidenti Ivanov duhet të kërkojë zgjidhje të tjera për formimin e qeverisë duke aluduar në dhënien e mandatit partisë së dytë, LSDM-së. “Vlerësoj se nuk janë shterruar as mundësitë kushtetuese e as ligjore për të formuar qeverinë. Nëse këtë nuk ka arritur ta bëjë njëra parti, nuk do të thotë se nuk mundet dikush tjetër. Unë pres që në ditët në vijim të ketë edhe një përpjekje për të formuar shumicën e nevojshme parlamentare e cila do të votonte qeverinë e re”, thotë Dujoski.
Opinionisti Ahmet Selmani thotë se problem kyç është partia e Gruevskit, që me çdo kusht do të jetë pjesë e qeverisë, duke e thelluar krizën: “Problemi është kryekëput te VMRO-ja. Loja që është duke luajtur ka synim në çfardo varianti që ajo të jetë në konstelacionet e pushtetit, unë mendoj se është një tendencë shumë e rrezikshme.Gjërat të tilla nuk e ndihmojnë procesin e zgjidhjes së këtij problemi, por përkundrazi e thellojnë atë”, vlerëson Selmani. (dw)